Gazetari i njohur amerikan, Geraldo Rivera, i ka dalë në mbrojtje luftës çlirimtare të shqiptarëve kundër Serbisë, një ditë pasi u zyrtarizuan aktakuzat ndaj disa prej krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi të enjten dha dorëheqje nga posti i presidentit të vendit pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale. Ai udhëtoi drejt Hagës bashkë me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Tani, në një postim në Twitter, Geraldo Rivera, gazetar e autor i njohur amerikan, ka thënë se Thaçi kishte luftuar për të mbrojtur popullin e vet kundër agresorit.
“Nuk i di specifikat e akuzës ndaj Hashim Thaçit, por pasi që e kam takuar gjatë ditëve të errëta të agresionit serb mbi Kosovën, mund të them se ai ishte një xhentëlmen dhe patriot që luftonte për të mbrojtur popullin e tij kundër një armiku shumë më të madh e vrastar. Shumë shqiptarë vdiqën në këtë luftë”, ka shkruar shkurt ai.
Rivera është një gazetar, autor e analist politik. Ai ka mbajtur emisione televizive nga viti 1987 në SHBA. Famën e mori me emisionin “The Mystery of Al Capone’s Vaults”. Ka udhëhequr edhe programe të tjera dhe paraqitet rregullisht në programet e “Fox News”.