Një javë pasi që Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Inspektoratit Islam Thaçi dhe pesë zyrtarëve të tjerë të Komunës së Prizrenit për rrënimin e aneks objektit pa leje të “Abi Çarshisë”, ka ardhur reagimi i kreut të Komunës, Mytaher Haskuka. Ai ka kritikuar Prokurorinë e Prizrenit duke thënë se ka prezantuar prova të pjesshme në një konferencë për media, ka interpretuar ligje në mënyrë të njëanshme dhe ka dezinformuar opinionin lidhur me ligjin për legalizimin.
Haskuka ka thënë se në Prizren deri në vitin 2017 janë ndërtuar rreth 17,000 ndërtime pa leje dhe kjo situatë ishte bërë aq e zakontë sa që 250 metra larg nga ndërtesa e administratës komunale janë ndërtuar objekte 13 katëshe pa leje, madje njëra nga këto objekte shumëkatëshe pjesërisht ishte ndërtuar edhe në pronë komunale.
“Një ndër ndërtimet e trashëguara problematike ishte edhe objekti i Abi Çarshisë, pasi që është konstauar se objekti ishte tërësisht jashtë vijave ndërtimore. Në kuadër të mundësive ligjore ishim dakorduar që investitori të aplikojë për leje sipas Planit të Hollësishëm Rregullativ. Ashtu edhe është bërë, ku Komuna ka pajisur investitorin me leje. Por në muajt në vijim Inspektorati kishte konstatuar që investitori kishte vazhduar ndërtimin edhe në një pjesë pa leje”, ka thënë Haskuka.
Nga ky moment, sipas Haskukës, Komuna e Prizrenit ka nxjerrë 7 aktvendime për ndalim të punimeve, rrënim vullnetar dhe rrënim të dhunshëm. Gjatë kësaj kohe, pasi që operatori kishte vazhduar ndërtimin e kundërligjshëm, Komuna ka bërë 5 kallëzime penale për largim të shiritave dhe për vazhdim të ndërtimit të kundërligjshëm.
“Kur ishin shtjerrur të gjitha mjetet, Komuna ka vepruar dhe ka filluar ekzekutimin e vendimit për rrënimin e objektit të kundërligjshëm. Këtu fillojnë intervenimet dhe në shesh del e gjithë kapja e shtetit nga klanet mafioze. Në vend se të ofrohet siguri për ekzekutimin e vendimeve të ligjshme të Komunës së Prizrenit, zyrtarët komunalë pengohen në detyrë nga urdhëra të pashkruara të kryeprokurorëve. Kur kërkohet të prezantohet urdhëri i shkruar për ndalimin e ekzekutimit të rrënimit, në mungesë të shkrimit zyrtar, Kryeprokurori Admir Shala organizon konferencë për shtyp duke prezantuar prova të pjesëshme, interpretuar ligje në mënyrë të njëanshme dhe dezinformuar opinionin lidhur me ligjin për legalizimin”, ka thënë ai.
Në konferencën për shtyp me datën 22.07.2019 në vend që të prezantojë urdhërin pse i ka ndaluar zyrtarët komunalë në detyrë, urdhër ky që kurrë nuk është dorëzuar në Komunë, sipas Haskuikës, Kryeprokurori luan rolin e avokatit të kompanisë private dhe injoron aktvendimet legjitime të Komunës së Prizrenit.
Ai ka thënë se për të gjitha këto shkelje etike dhe ligjore është bërë ankesa në Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilën mund ta lexoni me të gjitha provat, të shkruara dhe incizimet.
“Ndër të tjera, Kryeprokurori kërkon implemtnimin e një vendimi të kundërlighshëm të MMHP-së (Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor), ngase vendimi i MMHP-së i datës 27.08.2018 kërkon nga Komuna që të trajtojë objektin me një ligj që nuk kishte hyrë në fuqi. Specifikisht, MMPH-ja kërkonte që të merrej parasysh Ligji për Legalizim i cili nuk ishte në fuqi në datën e vendimit. Pra, absurdi juridik kur një institucion merr vendim në gusht dhe kërkon të implementohet një ligj që do të hynte në fuqi në shtator (5.09.2018)”, ka thënë ndër të tjera Haskuka.
Trajtimi i njëanshëm, sipas Haskukës, është edhe fakti që prokuroria nuk ka nisur hetim për asnjë nga 5 kallëzimet penale që Komuna kishte bërë ndaj operatorit, edhe pse tanimë për disa nga to kanë kaluar më shumë se 1 vit e gjysmë.
“Ndërsa e merr parasysh kallëzimin penal të operatorit kundër punëtorëve komunalë, në më pak se 6 muaj. Trajtim selektiv dhe i njëanshëm. Ky trajtim selektiv i rasteve ku kallëzimet e palës kanë prioritet ndaj atyre të Komunës nuk është i vetmi, por në këtë rast është bërë me qëllim që një çështje administrative ku ndërtuesi i jashtëligjshëm nuk ka asnjë argument të kalojë në çështje penale, ashtu që ta vonojë implementimin e vendimeve të Komunës për rrënim. Në aspektin administrativ zyrtarët komunalë kanë vepruar sipas Ligjit dhe ashtu si i obligon Ligji për trajtimin e ndërtimeve të jashtëligjshme, prandaj prokuroria nuk ka guxim të trajtojnë provat e Komunës dhe i injoron ato. Ironia e gjithë kësaj është që në një Komunë që është ngulfatur nga ndërtimet pa leje në të kaluarën, në vend se të hapen rastet për ish drejtorët që kanë përfituar nga mosveprimi dhe mos implementimi i Ligjit, tani po hapen raste për drejtorë dhe zyrtarë komunalë që kanë vepruar dhe nuk kanë toleruar ndërtimet pa leje”, ka shkruar ai.
Pra, sipas tij, në Prizren në këtë rast sistemi i kapur del haptas në mbrojtje të ndërtuesve pa leje dhe e bllokon Komunën në veprimet e saja ndaj ndërtuesve pa leje.
“Me urdhëra politikë nga lartë, zyrtarët komunalë pengohen në detyrë në mbrojtje të ndërtimeve pa leje. Pa shkresa zyrtare kërcënohen inspektorët komunalë më urdhër të atyre që do të duhej të ishin garantues të zbatimit të kushtetutës dhe të ligjit. Nga Prishtina kërcënohen policë që të pengojnë zyrtarët komunalë në detyrë. Në mbrojtje të ndërtimeve pa leje. Drejtoria e Inspektorateve në Prizren është shembull se si zbatohet ligji, me ndalimin e ndërtimeve pa leje, me rrënimin e objektve pa leje dhe me lirimin e hapësirave publike, prandaj ne do të vazhdojmë. Ngase kërcënimet nuk na trembin, aktakuzat politike nuk na ndalin. Çdo pengesë do ta tejkalojmë, çdo bllokadë do ta zhbllokojmë, ngase Prizreni ka treguar guximin dhe meriton më të mirën. Së bashku vvazhdojmë!”, ka shkruar ai.