POLITIKE

A hynë në Serbi policët e Kosovës? Deklarohet KFOR-i

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmuar pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë se më 21 nëntor një grup policësh të Kosovës të armatosur rëndë kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviq, në territorin e komunës së Leposaviqit.

KFOR-i në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë tha se situata përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e qetë dhe se po vazhdojnë të ndjekin zhvillimin e ngjarjeve.

“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile dhe jemi të pozicionuar mirë për t’u përgjigjur për çdo skenar të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë shumëvjeçar që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, tha KFOR-i.

Në fund të përgjigjes së tij, KFOR-i tha se për këtë çështje specifike, pra nëse Policia e Kosovës ka kaluar ose jo vijën kufitare, “drejtojuni autoriteteve serbe për komente të tjera”.

Pas kësaj, REL i është drejtuar sërish KFOR-it për të specifikuar se përse vetëm autoritetet serbe janë kompetente të japin përgjigje për këtë çështje, por REL-i nuk ka marrë ende përgjigje.

Policia e Kosovës të enjten, më 21 nëntor, i cilësoi si të pavërteta pretendimet e Serbisë se policët e Kosovës kaluan në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë.

“Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformatë që ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.

Ministria serbe e Mbrojtjes tha se “kalimi i paautorizuar i vijës administrative” mes Serbisë dhe Kosovës paraqet “provokim të rrezikshëm dhe kërcënim për paqen” dhe shtoi se Ushtria e Serbisë po ndjek situatën në terren dhe është e gatshme të reagojë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë gjithashtu ka kërkuar nga KFOR-i, “si e vetmja forcë ushtarake ligjore dhe legjitime” në territorin e Kosovës, që “të marrë masa në përputhje me mandatin e tij dhe të parandalojë autoritetet përkohshme të Prishtinës në përpjekjet për të shkaktuar një përshkallëzim të dhunës”.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 21 nëntor se pret reagimin e Shteteve të Bashkuara sepse “ata e dinë që ishte [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti ai që e urdhëroi këtë me qëllim”.

Ai kërkoi nga ShBA-ja që të njoftojnë Serbinë nëse ka të drejtë “kur thotë se Kurti personalisht urdhëroi provokimin dhe hyrjen e forcave të tij të armatosura në territorin e Serbisë”.

“Ai priste që këta individë të likuidoheshin dhe kjo të ishte arsyeja për të përfshirë NATO-n në një konflikt me Serbinë. Herën tjetër, ne do të reagojmë në përputhje me rregullat e plota të shërbimit ushtarak”, tha Vuçiq për transmetuesin publik serb.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë dhe Departamentit amerikan të Shtetit me kërkesën për të komentuar këto pohime të presidentit serb, por këto dy institucione ende nuk janë përgjigjur.

Kosova dhe Serbia kanë një vijë kufitare prej rreth 350 kilometrash, dhe më shumë se 60% e kësaj linje kalon nëpër komunat në veri të Kosovës, të banuara kryesisht nga serbë.

Në vitet e fundit, Kosova shpesh ka akuzuar Serbinë se sjellë pranë kufirit ushtrinë. Ndërkaq, në qershor të vitit 2023, Kosova tha se tre policë të saj u arrestuan brenda territorit të shtetit, afër kufirit, por Serbia pretendoi se ata kishin kaluar vijën kufitare. Disa ditë më vonë, policët u liruan nga autoritetet serbe.

Për Kosovën vija kufitare është kufi, për Serbinë vijë administrative.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.

Megjithatë, sipas një vendimi të vitit 2014 të komandantit të atëhershëm të KFOR-it, Policia mund të patrullojë në vijën kufitare Kosovë-Serbi deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse.

Aktualisht KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë. /REL


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • FOTO&VIDEO

Shfaqet në Gjirin e Orikumit një nga gjitarët më të rallë në botë

Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…

5 orë ago
  • BOTA

Vrasja e 18-vjeçarit Henry Nowak, Starmer akuza të forta për Elon Musk pas protestave: Ka nxitur përçarje

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…

15 orë ago
  • POLITIKE

Spaho: Vetëm një i leshtë mund të mendojë që kjo protestë nuk është e manipuluar, është komplot kundër vendit

Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…

18 orë ago
  • POLITIKE

“Serbia si Rusia, ata si vendet baltike”, “Jeta e Vuçiç në rrezik”, ai shkon në Mal të zi: Do them gjithçka

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…

19 orë ago
  • KRYESORE

Katy Perry, emri i parë i madh në “Sunny Hillin” e sivjetmë

Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…

22 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, autori me të shkuar kriminale, një vit më parë tërhoqi zvarrë me kalë një person

Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…

1 ditë ago