Albin Kurti e ka bërë disa herë të qartë që do të jetë ai personi që do të drejtojë dialogun e Kosovës me Serbinë, në mënyrë që të arrihet marrëveshja ligjërisht e obligueshme nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë.
Në anën e Serbisë dihet se negociatori kryesor do të jetë Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit ka thënë se edhe më Thaçin ka qenë e vështirë por ajo që kërkon është arritja e një kompromisi. Sipas tij nëse shqiptarët nuk duan kompromis, nuk ka problem, serbët do vazhdojnë të jetojnë dhe Serbia do të ketë më shumë autoritet në bashkësinë ndërkombëtare.
“Për mua edhe ashtu ka qenë vështirë. Siç e shihni nuk kemi arritur tek rezultati. Nëse do të jetë me vështirë apo jo nuk e di, por për mua është vështirë që nuk kemi një zgjidhje të kompromisit dhe unë flas për gjëra serioze dhe jo për gjëra personale siç është ajo që Albin Kurti ka ofenduar të bijën time minorene duke e përfshirë në procese politike sepse njerëzit e ndershëm këtë nuk e bëjnë, por ta lëmë anash. Sa i përket Beogradit dhe Prishtinës, unë them që nëse nuk dëshironi kompromis nuk ka problem njerëz dhe vetëm na njoftoni dhe më thuani që nuk duam dhe ne do të themi në rregull do të vazhdojmë kështu të jetojmë, ne pak më mirë se ju, por me një autoritet më të madh se ju në bashkësinë ndërkombëtare që më vjen keq, por kjo është zgjidhja juaj me sa duket dhe nuk kam asnjë problem me këtë”, ka thënë Vuçiq në emisionin Opinion në Klan.
Presidenti serb nuk jep një përgjigje se e kujt ishte ideja për shkëmbim territoresh, e atij, Hashim Thaçit apo e SHBA-ve? Teksa thekson se akuzat kundër tij bëhen për të fituar pikë në politikë, në kutitë e votimit ai merr më shumë vota.
“Realiteti pa zgjidhje është ky. Nëse ky realitet është i keq? Jo, kemi jetuar edhe në kohë më të vështira. Por, është garantues i mjaftueshëm i së ardhmes së fëmijëve tanë? Nuk është. Kjo është arsyeja përse jam për zgjidhje të kompromisit. Dhe, të gjithë kuptojnë çdo gjë, por të gjithë bëhen si të marrë nga të gjitha anët dhe këtë e kam thënë qindra herë këtu dhe asnjëherë nuk kam tërhequr asnjë fjalë, pavarësisht sulmeve të forta dhe presioneve e të gjithave”