Miratimin e propozimit për draft-kontratën me Kishën Ortodokse Serbe nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, gazetari dhe publicisti i njohur sarajevas, Senad Peçanin, e ka quajtur fitore të madhe të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin.
Atë që Zdravko Krivokapiç, ish-kryeministri i Malit të Zi, nuk mund ta bënte “ndonëse i përulur ndaj Kishës Ortodokse Serbe”, sipas gazetarit boshnjak, e bëri Dritan Abazoviç, duke shtuar se ky i fundit realizoi agjendën e Aleksandër Vuçiç në Mal të Zi.
“Le të trajtojmë profilin politik, jo atë personal të Abazoviç. Momenti i parë kyç është mashtrimi i votuesve malazezë në zgjedhjet e 2020’ës, të cilët menduan se po votojnë për një Mal të Zi evropian dhe me orientim qytetar, dhe jo për formimin e një qeverie që ndjekin Vladimir Putinin, Aleksandër Vuçiçin, Drazha Mihajlloviçin dhe Ratko Mlladiçin”.
“Momenti i dytë është rrëzimi i qeverisë së Zdravko Krivokapiç, i cili, ndonëse i përulur ndaj Kishës Serbe, nuk i kënaqi kërkesat e Aleksandër Vuçiç. Ishte Abazoviç ai që e bëri këtë, duke i mashtruar të gjithë ata që besuan se po bëhet për të mirën e Malit të Zi”, ka shkruar ai në analizën e tij.
Qeverinë e pakicës që e formoi muaj më parë, sipas gazetarit boshnjak, Abazoviç e konstruktoi të atillë “për të implementuar urdhërat e Aleksandër Vuçiç për agjendën serbe në Mal të Zi”.
“Presidenti i Serbisë më mirë do t’i mbijetonte ndonjë bombe atomike se sa që Mali i Zi të anëtarësohej në BE para Serbisë, edhe po të donte një Serbi evropiane”.
Madje mes tjerash, ai pati edhe cilësime të rënda për figurinë politike të politikanit shqiptar, Dritan Abazoviç.
“Në jetën e përditshme, dhe në veçanti në politikë, figurat politike si Dritan Abazoviç janë specifike. Kemi të bëjmë me karaktere të cilët në kuptimin e ngushtë të fjalësh nuk mund t’i ofendosh, për të cilët turpi është një ndjesi e panjohur, të cilët nuk janë hiç të parehatshëm kur kapen në gënjeshtër për të njëqindtën herë; ata janë të mësuar e trajnuar për të llomotitur fraza boshe, për të marrë formën e pjatave si lëngje”, ka shkruar ai.
“Dëmi që i ka shkaktuar Malit të Zi është i vështirë për t’u parë në këtë moment. Ashtu si çmimi i punës së pistë që bëri, po të mos llogaritet klinika në Beograd që po ndërton vëllai i tij bashkë me Vuçiçin dhe partneren e kryeministres serbe Ana Brnabiç”, përfundoi ai.