Abbott kritikon deputetët për emërimet pa kritere në ditën e nënshkrimit të memorandumit me Kuvendin

Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada Britanike kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit, raporton Gazeta Express.

Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, para mediave kanë folur ambasadori i Britanisë në Kosovë,  Nicholas Abbott dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Abbott që ka mbajtur prezantimin e tij në gjuhën shqipe ka thënë se me kënaqësi e nënshkruajnë marrëveshjen e memorandumit me Kuvendin.

Megjithatë, ai ka pasur kritika për proceset e mëparshme ku pavarësisht rekomandimeve të ambasadës, janë emëruar në pozita të larta njerëz që nuk kanë përmbushur kriteret.

“Me kënaqësi të veçantë nënshkruajmë marrëveshjen e memorandumit me Kuvendin e Kosovës. Kemi pasur procese rekrutuese të suksesshme kemi edhe përvojë të hidhur kur kuvendi ka emëruar individë që nuk përmbushnin kriteret duke i ditur mirëfilli rezultatet. Në raste të tilla do të reagojmë siç kemi reaguar sepse një sjellje e tillë është shumë e dëmshme për Kosovën dhe e pandershme për miqtë. Uroj që kësaj radhe të mos kemi raste të tilla”, ka thënë ai.

Abbott ka bërë thirrje që profesionistët të aplikojnë dhe të kontribuojnë në udhëheqjen e institucioneve.

“Korrupsioni nuk luftohet për një ditë apo një javë, por, për çdo ditë. Lufta më e mirë është kur profesionistët e fushave përkatëse dhe njerëzit me integritet vendosin të aplikojnë dhe të kontribuojnë me njohurit e tyre në udhëheqjen e institucioneve.

Pas ambasadorit të Britanisë, ka folur edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Osmani ka thënë se duhet të emërohen njerëz të kualifikuar në pozita të larta, duke ua kujtuar deputetëve betimin që kanë dhënë në momentin e zgjedhjes.

“Pozita e parapara janë në cilësinë e kuvendit dhe disa që iniciohen nga qeveria po që lista finale votohet në kuvend. Janë të përfshirë dhjetëra institucione disa ka borde e disa janë shefa. Kuvendi përbëhet nga politikan që betimin e tyre e kanë dhënë duke premtuar se do të punojnë në interes të qytetarëve, nuk duhet të shkelen parimet e meritokracisë dhe transparencës. Duhet që këtë premtim që e kemi dhënë ta realizojmë”, ka thënë Osmani.