Abdixhiku: I pashmangshëm rikthimi i madh i LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se rikthimi i kësaj partie është i pashmangshëm.

Në Deçan, në kuadër të ciklit debutues “LDK-ja ju dëgjon”, Abdixhiku ka thënë se partia e tij ka nisur hartimin e një programi me njerëz të përgatitur e ekspertë.

“LDK-ja prej se ka filluar hartimin e programit të saj; ka mbajtur takime fillimisht me grupe ekspertëve dhe pastaj ka vazhduar aktivitetin e saj në terren. Po takojmë qytetarë të shumtë; punëtorë, ndërmarrës, biznese e grupe interesi për t’i dëgjuar nga afër problemet dhe sfidat e tyre të cilave do tu japim zgjidhje përmes platformës tonë e cila si burim ka zërin qytetar; ndërsa kjo platformë do ta ketë programin më përmbajtjesor që Kosova ka pasur ndonjëherë”, ka thënë Abdixhiku, sipas një njoftimi të LDK-së të shtunën.

“Po bëhet një punë e palodhshme nga strukturat tona; në nivel qendror e lokal, ku entuziazmi dhe vullneti për punë i njerëzve tanë është dëshmi se rikthimi i madh i LDK-së është i pashmangshëm”, ka përfunduar Abdixhiku.

LDK-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit të kaluar doli e treta, në rezultatin më të dobët në histori të partisë. Ndërkaq në zgjedhjet lokale, ajo mori më së shumti komuna në fund të vitit, bashkë me PDK-në.