FOTO&VIDEO

Abu Obeida, kush ishte zëdhënësi i Hamasit që u vra nga Izraeli

Abu Obeida ka qenë për shumë kohë njeriu pa fytyrë dhe pa një emër të saktë. Një mister që e bëri atë më të fortë në aspektin propagandistik si zëdhënës i krahut ushtarak të Hamasit dhe simbol i rezistencës.

Më shumë se 40 vjeç, Obeida thuhet se është rritur në Jabalia në Rripin e Gazës, pas arratisjes së familjes së tij. Si shumë të rinj të tjerë, u bashkua me lëvizjen e armatosur dhe sipas disa burimeve, rreth vitit 2002 filloi të merrej me komunikatat e Brigadave, Ezzedine al Kassam. Fillimi i tij ishte me një video kushtuar tuneleve të ndërtuara nga militantët, një nga armët më të mira të tyre. Më pas mori një rol më zyrtar duke komentuar veprime të rëndësishme, përfshirë kapjen e ushtarit Shalit, një moment kyç në luftën e fraksionit. Që atëherë ai ka vazhduar të ndjekë këtë rrugë duke shoqëruar veprimet e muxhahedinëve.

Duke vepruar në fshehtësi, militantit i pëlqente të shfaqej gjithmonë me fytyrën e mbuluar me një kefije në ngjyrat: bardhë e kuqe. Sipas disave, kjo ishte një mënyrë për të nderuar Emad Aqil-in, një luftëtar i vrarë në një përplasje të ashpër me forcat armike në vitin 1993, që u bë hero për palestinezët. Emrin e betejës e mori nga një prej ndjekësve të Profetit. Referencat historike janë pjesë e identitetit të tij, por edhe fshehtësia rreth identitetit të vërtetë ka qenë më e madhe. Izraelitët e kanë identifikuar si Hudayfa Samir al Kahlout (një detaj që u zbulua vetëm pas vitesh së bashku me një foto të dyshimtë), ndërsa shokët e tij gjithmonë e kanë mohuar këtë. Izraelitët po ashtu pretendojnë se kanë kryer sulme për ta vrarë në vitet 2008 dhe 2012, pretendime që janë mohuar nga fraksioni.

Pasiguria për detajet nuk e ka ulur rëndësinë e tij. Ai u bë i njohur për mesazhet e shkurtra, gjuhën efektive dhe aftësinë për të prezantuar iniciativat ushtarake të lëvizjes. Biografët kujtojnë edhe formimin e tij kulturor: në vitin 2013 mendohet se u diplomua në Fakultetin e Teologjisë me një tezë për Tokën e Shenjtë dhe tri fetë.

Pas sulmit të 7 tetorit, Abu Obeida u bë më i pranishëm. Duhej treguar për sulmin, sfidën dhe strategjinë e lëvizjes. Natyrisht, ai gjithmonë e shmangte zbulimin e vetes. Pastaj u angazhua së bashku me njësinë “Shadow Unit” për shkëmbimet e të burgosurve.

Ai kishte dorë në organizimin e lirimeve: luftëtarët me uniforma të përsosura, automjetet e reja, zgjedhja e vendeve të veçanta në Rripin e Gazës, dokumentet e lirimit të dorëzuara te Kryqi i Kuq, materialet propagandistike, vulat dhe stampat, tavolina e madhe përpara kamerave dhe prezantimi i pengjeve.

Departamenti i tij shpërndau në momente kyçe video kërcënuese për të ushtruar presion mbi opinionin publik izraelit, të ndarë dhe të frikësuar. Në to përfshiheshin thirrjet e të burgosurve në tunele, pamjet e të sëmurëve dhe thirrjet e dëshpëruara, si dhe deklaratat politike. Hamasi i përdori këto për të rritur çmimin, por edhe për të treguar se kishte kontrollin e situatës pavarësisht ofensivës së Forcave të Mbrojtjes Izraelite dhe vështirësive logjistike.

Me avancimin e ushtrisë izraelite, Abu Obeida u bë më i kujdesshëm dhe i uli shfaqjet publike. Kishte një pauzë të gjatë gati katër muaj, e ndërprerë me një mesazh në korrik, dhe më pas me intervistën e fundit të premten për “Al Jazeera”-ën: “Planet e Izraelit për të pushtuar Gazën do të jenë katastrofike për udhëheqjen politike dhe ushtarake… Kjo do të rrisë mundësitë për të kapur ushtarë të rinj. Luftëtarët tanë janë në gatishmëri, të përgatitur dhe me moral të lartë”.

Pak orë pas kësaj deklarate, Tel Avivi njoftoi se kishte goditur një shtëpi në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës, një operacion kundër një shtëpie që ishte marrë me qira së fundmi nga familjarët e luftëtarit. Sipas disa burimeve, bombardimi mund të ketë shënuar fundin e tij dhe të personave që ishin me të, ndoshta gruan dhe fëmijët. Nëse njeriu pa fytyrë nuk ka kapërcyer vdekjen, një konfirmim mund të vijë nga Hamasi, megjithëse ata rrallë pranojnë humbje të rëndësishme. Vetëm të dielën ata konfirmuan vrasjen e liderit Mohammed Sinwar në maj.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • KRYESORE

“Washington Post”: Rusia po i ofron inteligjencës iraniane informata për vendndodhjen e forcave amerikane

Rusia është duke i ofruar Iranit informacione mbi vendndodhjen e luftanijeve dhe avionëve amerikanë në…

2 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Flota iraniane humbet krenarinë: Shkatërrohet dronëmbajtësja “Bagheri”

Shahid Bahman Bagheri ishte mjeti i parë lundrues i specializuar për dronë,një anije 240 metra…

5 orë ago
  • KRYESORE

Media arabe: Irani dyshohet se ka ekzekutuar gjeneralin Qaani si spiun të Mossadit

Mediet arabe raportuan të premten informacionin se iranianët ekzekutuan gjeneralin Ismail Qa'ani si agjent të…

7 orë ago
  • BOTA

Pastorët ungjillorë i luten zotit për Trump dhe ushtarët amerikanë

Presidenti Donald Trump mirëpriti të enjten një grup pasotrësh në Zyrën Ovale një grup klerikësh…

8 orë ago
  • BOTA

Miliarderët largohen nga Lindja e Mesme, fluturimet me avion privat deri në 300 mijë euro

“Edhe të pasurit qajnë në kohë lufte.” Konflikti i fundit në Lindjen e Mesme po…

10 orë ago
  • KRYESORE

Nagavci-Osmanit: Kush janë ata persona të rrezikshëm?

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e ka komentuar deklaratën e Vjosa Osmanit,…

10 orë ago