Afro 50 plumba dyshohet se janë shkrepur javë me parë në Shalë të Bajgorës në ahengun ku pjesëmarrës ishin policë, zyrtarë të Ministrisë se Drejtësisë dhe familjarë të politikanëve.
Organizimi i kësaj “ndeje” në kohë pandemie është në kundërshtim me vendimin mbi masat e emergjencës shëndetësore, përkatësisht me kufizimin e lëvizjes dhe të tubimeve.
Zyrtarët policorë dhe ata të drejtësisë janë suspenduar menjëherë pas publikimit të informatës. Përveç masave administrative kanë filluar edhe hetimet penale. Hetimi është duke u kryer nga dy institucione. Zyrtarët policorë është duke i hetuar Inspektorati Policor i Kosovës. Kryeshefi i këtij institucioni, Exhevit Zuka, ka dhënë disa detaje për këtë rast.
“Për pjesën e zyrtarëve policorë hetuesit janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore. Hetuesit kanë siguruar prova dhe i kanë dërguar armët për ekzaminim. Ne tash jemi duke pritur rezultatet e analizave të laboratorit”, ka thënë Zuka. Për numrin e gëzhojave që janë gjetur në vendin e ngjarjes ai ka thënë të mos ketë ende informata.