Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka komentuar krizën e thellë energjetike që ka kapluar vendin.
Ahemti tha se të gjitha “prishjet e qëllimshme” në KEK janë konspiracion, ndërsa humbjet e KEDS-it dhe bizneseve, Kosova do t’i paguajë shtrenjtë.
Sot gjithashtu pati polemikë në mes të ish-partiakut të Ahmetit, Dardan Molliqajt dhe KEDS-it. Kjo për shkak se kreu i PSD-së, tha se rënia e blloqeve A3 dhe A5, ishte bërë qëllimshëm dhe për këtë fajësoi KEDS-in.
Këto pretendime, KEK-u i ka quajtur shpifje dhe ka premtuar se këtë cështje do ta marrë të gjitha veprimet ligjore tek organet e drejtësisë.
“Pasi ta kalojmë terrin do ta kuptojmë që paditë janë të pashmangshme dhe kjo do të na kushtojë ndoshta edhe qindra miliona”, theksoi Ahmeti.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:
Jemi të prirur për të besuar konspiracionet më shumë se sa shpjegimet e thjeshta.
Nuk është hera e parë që prishen blloqet e KEK dhe natyrisht nuk jemi nga dje me KEDS. Është vetëm hera e parë që kriza energjetike është më e thellë, dhe hera e parë që VV dhe ministrat e sotëm ballafaqohen me problematikë të tillë. Mungesa e përvojës dhe konspiracionet kanë vonuar përgjigjen e duhur para dy muajsh e cila po shkakton këtë terr që e kemi sot.
Një pasojë negative e madhe e të cilën do ta paguajmë më vonë është kostoja që ne do ta paguajmë për humbjet e KEDS dhe bizneseve. Në një treg të rregulluar ku ne ja caktojmë çmimin KEDS për derisa tregu botëror shënon rritje të çmimit do të thotë se ne kemi detyruar KEDS të punojë me humbje. Po ashtu KEK nuk ka furnizuar sasinë e garantuar me kontratë për KEDS që do të thotë se humbja e KEDS është edhe më e madhe. Shtoja kësaj kontratat e bizneseve prodhuese që kanë me KEDS që tashmë kanë humbur milionat dhe numri është alarmues.
Qeveria u mundua dje që përmes vendimit për masa 60 ditore të mbrohet nga paditë me letra por pak do të ndihmojnë.
Jashta storieve të privatizimit, sabotimeve në KEK etj, fakti është që krejt këto relacione janë të kontraktuara në letra, të mbrojtura me arbitrazhe.
Pasi ta kalojmë terrin do ta kuptojmë që paditë janë të pashmangshme dhe kjo do të na kushtojë ndoshta edhe qindra miliona.
Për neve për shkak të kësaj rryma është shtrenjtuar disa herë më shumë se sa në regjion e Evropë. Siguria energjetike tashmë është edhe më e ulët. Ne refuzuam gasin, por pas një viti nuk do të jemi as me ajr më të pastër, as me më shuml rrymë, dhe goxha më të shtrenjtë e edhe më të varur nga Serbia.
Si duket më me rëndësi është inati ndaj njëri tjetrit se sa interesi i shtetit tonë. Batanija është pasoja më e vogël e kësaj krize.