Nënkryetarja e Shkupit nga partia Aleanca për Shqiptarët, Bujare Abazi në një lidhje direkte në T7 ka thënë se sipas informacioneve të para qoftë nga institucionet maqedonase ashtu edhe nga ato bullgare, janë dyshimet se në autobusin e “Besa Trans” nga Shkupi po kontrabandohej naftë dhe mjete piroteknike.
Abazi tha për T7, se kjo flet për një sistem të korruptuar dhe që ka bërë lëshime.
“Mund të them se ishte një ditë e trishtë jo vetëm për Shkupin dhe për tërë rajonin. Aq më tepër për ne që vijmë nga Çairi dhe rrethi këtu ku kishte shumë nga ta që ndoshta edhe i njohim. Ne e shohim nga informatat që vinë qoftë nga institucionet këtu, qoftë nga ato të Bullgarisë se faktikisht ka pasur një lëshim të institucioneve në zinxhir. Kemi një autobusi pa licencë. Kemi një autobus që ka kaluar në doganë pa u kontrolluar nga asnjëri, pastaj ka kontrabanduar, siç ishin informatat e para, karburant dhe fishekzjarrë. Kjo flet se ne faktikisht kemi një sistem të korruptuar që në vazhdimësi ka bërë lëshime”, ka thënë ajo në emisionin “Frontal”, në T7.
Në mesin e 46 viktimave të aksidentit të ndodhur në Bullgari ishin edhe 12 fëmijë të moshës nën 18 vjeçare.Të vdekurit nga tragjedia e 23 nëntorit kryesisht janë nga komuna të qytetit të Shkupit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 3:00 të mëngjesit të kësaj të Marte në autostradën Struma, rreth 60 kilometra larg Sofjes.