Dr. Maja Grba-Bujević, drejtoreshë e Institutit Kroat të Mjekësisë Emergjente, tha se tetë ekipe urgjence morën pjesë në ofrimin e kujdesit mjekësor pas aksidentit tragjik që ua mori jetën 10 personave që po vinin nga Frankfurti në Kosovë.
Ajo tha se autoambulanca shkoi në vendin e ngjarjes tragjike për tre minuta.
“Në 6:23 morëm një telefonatë nga Qendra 112, në 6:26 shkuam në vendin e ngjarjes”, tha Grba Bujević. Punonjësit e urgjencës mjekësore ishin në vendin e aksidentit për një kohë shumë të shkurtër dhe të plagosurit po trajtoheshin me urgjencë”, theksoi ajo.
Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh kanë shkuar në vendin e ngjarjes tragjike ku vdiqën 10 persona si pasojë e aksidentimit të një autobusi kosovar i cili po vinte nga Frankfurti në Prishtinë.
Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur, raporton Index.hr.
Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samarxhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.
Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.
Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur, ndërsa ai i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin, po qëndron në stacionin rajonal të Policisë.
Në spital shkoi edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, i cili u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa me jo pak ndjeshmëri, tha para mediave kroate se ata dhe të lënduarit e tjerë janë “njerëzit tanë”.