Aktakuza për Banjskën: Nga ora 01:50 e mëngjesit deri në ora 10:30 – si ndodhi sulmi terrorist

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë. Sipas aktakuzës, të përfshirët kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal, duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave.

Në mesin e të akuzuarve kryesorë, si udhëheqës i grupit është edhe Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.

Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer, po ashtu, hetime për rastin.

Ajo e ngarkon Radoiçiqin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Millan Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai dha dorëheqje nga kjo pozitë pak ditë pas sulmit në Banjskë.

Prej vitesh, ai është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar.

Përndryshe, Departamenti amerikan i Shtetit e cilëson atë si kriminel që duhet të mbahet përgjegjës.

Çfarë tha tjetër Prokuroria e Kosovës?

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se veprat penale për të cilat të akuzuarit ngarkohen përfshijnë:

“Kryerja e veprës terroriste: Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, neni 129 par. 3 lidhur me par. 1 dhe neni 128 par.1, pikat 1.1, 1.3, 1.7 dhe 1.10.

Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë: Sipas nenit 126 par. 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 118 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit: Veprimet e pandehurit M.R. përfshijnë financimin e akteve terroriste, sipas nenit 131 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 57 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Shpëlarja e parave: Të akuzuarit M.R., personi juridik “R”, dhe personi përgjegjës R.S., janë të akuzuar për pastrim parash, sipas nenit 302 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 56 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.”

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë tentuar shkëputjen e pjesës veriore të territorit të Republikës së Kosovës, me qëllim që t’ia bashkojnë këtë territor Republikës së Serbisë. Gjatë këtij veprimi, si rezultat i dhunës së përdorur, ka humbur jetën zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Për çka akuzohet Milan Radoiçiqi?

Dispozitivi i tretë dhe i katërt i aktakuzës ngarkon vetëm të akuzuarin Radoiçiq. Ai ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë.

Sipas aktakuzës, “pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë – blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake – sigurim i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike – sigurimi i pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit – financimin e pjesëmarrësve të grupit terrorist. Krejt kjo për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste.”

Për këto veprime, Radoiçiq po ngarkohet me veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”.

Kurse në dispozitivin e katërt thuhet se Radoiçiq “nga data 1 janar 2017 e deri më 24 shtator 2023, duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të pandehurit Radule Steviq – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Steviq, B.I dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.”

Kush janë të akuzuarit e tjerb?

Bashkë me Radoiçiq, akuzohen edhe Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq dhe Vladan Iliq.

Sipas aktakuzës, “më 24 shtator 2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i pandehuri Milan Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, së bashku me pjesëmarrësit, në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë.”

Ata janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre, ndërsa pasi kanë ardhur zyrtarët policorë të Kosovës për t’i hequr kamionët, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda dhe te ura e fshatit ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku, si dhe janë plagosur e lënduar zyrtarët Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi, thotë tutje aktakuza.

Në aktakuzë po ashtu thuhet se sulmi ka vazhduar deri në orën 15:00 kur shumica dërmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Serbi dhe e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës.