Në kohën kur Kosova është duke u ballafaquar me pandeminë COVID-19, një protestë kundër formimit të Qeverisë së re është paralajmëruar përmes rrjeteve sociale më 4 maj.
Më pak se 24 orë shumë persona i janë përgjigjur thirrjes për protestë në Facebook nga grupi i përkrahësve të Vetëvendosjes #mekryeministrin.
Aty, disa kanë marrë shembull protestën që është mbajtur në Izrael, raporton KOHA.
Megjithatë, të tjerë qytetarë thonë se në këtë kohë nuk duhet të ketë protesta, por mobilizim ndaj luftës me koronavirusin.
Ditën kur është planifikuar protesta më 4 maj përfundon vendimi për kufizimin e lëvizjes, por sipas mikrobiologut Lul Raka edhe pas kësaj date pandemia nuk është se kalon.
Ai ka thënë për televizionin se çfarëdo grumbullimi i njerëzve është kërcënim serioz për shëndetin publik në Kosovë.
Raka ka theksuar se pas 4 majit, nëse nuk respektohet distanca sociale dhe vazhdon grumbullimi, vala tjetër e pandemisë mund të jetë po aq e keqe si e para.
Në anën tjetër, nga Vetëvendosje, e cila aktualisht është në Qeveri, kanë thënë për KTV-në se nuk kanë në plan të organizojnë protestë.
“Qëndrimet dhe organizimet zyrtare të Lëvizjes VETËVENDOSJE shprehen përmes faqeve tona zyrtare dhe përfaqësuesve tanë. Ditëve të fundit janë hapur shumë evente, të cilat burojnë nga shqetësimi i madh qytetar mbi zhvillimet në vend. Duhet ta ritheksojmë që ne jemi me fokus të plotë në menaxhimin sa më të mirë të situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19”, ka thënë Arlind Manxhuka nga LVV-ja.
Por, organizatorët e kësaj proteste përmes rrjeteve sociale, kanë paralajmëruar anulimin e protestës, në rast se pas 4 majit masat do të ashpërsohen.
Distancimi social dhe vendosja e dorëzave e maskave janë ndër rekomandimet kryesore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë për mbrojtje ndaj koronavirusit, nga i cili deri tash në Kosovë kanë vdekur 19 persona.