Aktivisti: Fitorja jonë më e madhe, jo lekët e karburantit, por kthimi i vetëdijes qytetare!

Aktivisti i shoqërisë civile, Adriatik Lapaj ka lexuar me zë të fortë përpara protestuesve sot, kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë e nga të cilat nuk do të heqin dorë.

Lapaj theksoi se fitorja më e madhe e kësaj proteste është rritja e vetëdijes qytetare për të drejtat e saj.

“Për herë të parë ju u dhatë një mesazh të madh qytetarëve se kur ata bëhen bashkë, ata fitojnë! Ju fitoni! Ne fitojmë!


Fitorja më e madhe e kësaj proteste nuk janë 700 lekët e karburantit, as 300 lekët që do ta ulin, por kthimi i vetëdijes qytetare se ne mund t’i ndalim!

Ndaj secili juaj të shohë atë që ka në krah, si njerëz krenarë, dinjitozë, qëndrestarë.

Nga ky shesh unë po ia përsëris kërkesat që ne i kemi bërë qeverisë:

Ulje e qëndrueshme e çmimit të karburantit si në vendet e rajonit; respektimin e të drejtës themelore për respektimin e shtresave në nevojë; uljen e barrës fiskale, përcaktimin e marzhit të fitimit; marrjen e masave të alternuara të pezullimit të akcizës së naftës; zerimin e përkohshëm të TVSH të produketeve të shportës, ulje 10% e TVSH; masa për një mirëfunksionim të tregut; pezullim i përkohshëm i koncensionit të markimit, skanimit, të pompave bazuar në klauzolën “forcë madhore” dhe mbikqyrje të operatorëve të importit që ndikojnë arbitrarisht në çmimet; mbikqyrje dhe raportim periodik tremujor nga Autoriteti i Konkurencës i tregut, transparencë e plotë e çmimeve. “