Albin Kurti ia gjuan topin Arben Vitisë: Vendimin e mori MSH, jo Qeveria

Kryeministri në largim, Albin Kurti ka prezantuar pakon emergjente pas situatës që është shkaktuar në vend pas pandemisë me COVID-19.

Kurti në një konferencë për media ka thënë se kjo pako është për situatën emergjente në të cilën ndodhet vendi dhe se një pako tjetër për rimëkëmbjen e ekonomisë do të përpilohet më vonë, shkruan Reporteri.net.

“Pako fiskale emergjente për të ofruar ndihmë financiare shtesë për shtresat më të varfra, të ndihmojë bizneset në shërbimet operative. Kjo pako nuk ka si qëllim politikat afatgjata për rimëkëmbjen e ekonomisë, për këtë do të hartohet një pako e dytë”, është shprehur Kurti.

Duke folur për masat e reja dhe akuzat se janë në kundërshtim me Kushtetutën, Kurti tha se këto masa nuk janë marrë nga Qeveria në detyrë, por nga Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk jam për të bërë rolin e Gjykatës, janë këshilltarët ligjorë të cilët kanë qenë të përfshirë kur janë marrë këtë masa. Nuk i ka marrë Qeveria në detyrë por ministria e Shëndetësisë që është organ i një niveli më të ulët administrativ”, është shprehur Kurti.

Duke folur për seancën e sotme të Kuvendit, të thirru nga PDK, Kurti ka thënë se Pakoja emergjente fiskale është çështje Qeverie jo e diskutimeve në Kuvend

“Pakoja emergjente fiskale është çështje Qeverie jo e diskutimeve në Kuvend. Ne kemi nevojë për kredi, donacione e solidaritet kombëtar. Këtë e kemi bërë duke u angazhuar në të tri këto fusha. Teksa ne kritikohemi se kjo pako nuk është e madhe në të njëjtën masë prej të njëjtëve njerëz pengohemi që të marrim kredi. Jemi të bindur që për fazën emergjente në të cilën ndodhemi kjo pako është e mjaftueshme. Ne jemi duke folur për dy muaj tre muaj, është gabim të sillet një pako për 12 muaj”, u shpreh ndër të tjera Kurti.