Kryeministri në ardhje, Albin Kurti ka përkujtuar sot në 30 vjetorin e rënies së tyre, Afrim Fahriun dhe Fahri Fazliun, atdhetarë shqiptarë të cilët u vranë nga policia serbe.
Kurti duke kujtuar të dy, thotë se ata u vranë një ditë pasi Afrim Zhitia mbajti në fjalim para demonstruesve, ku ishte edhe sekretar organizativ i Lëvizjes.
Ndër tjera, Kurti thotë se dëshmorët Ali Ajeti dhe Hasan Ramadani të Çetës së Llapit armët i patën marrë nga Afrim Zhitia.
Postimi i plotë:
Viti 1989 ishte vit i demonstratave të dendura e të fuqishme. Më 1 nëntor, Afrim Zhitia, asokohe sekretar organizativ i Lëvizjes, ilegal që prej dy muajsh, mban fjalim para demonstruesve. Të nesërmen, bashkë me veprimtarin e dalluar, Fahri Fazliun, vriten nga policia e Serbisë në Bregun e Diellit në Prishtinë. Me dhimbje e krenari i kujtojmë sot, me 2 nëntor, në 30 vjetorin e rënies së tyre.
Me Afrimin e Fahriun, udhëheqja e Lëvizjes atëbotë nis e bëhet nga brenda, jo më prej jashtë vendit. Organizata rritet e aktivitetet shpeshtohen. Bëhet thirrje për sabotimin e mallrave të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi (që asokohe mbanin anën e Beogradit), si dhe minohen lartpërçuesit elektrik drejt Serbisë. Veprojnë njësitet e para guerile: dëshmorët Ali Ajeti dhe Hasan Ramadani të Çetës së Llapit armët i patën marrë nga Afrim Zhitia.
Afrimi dhe Fahriu aq shumë i ngjajnë Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës për nga vendosmëria patriotike, trajektorja jetësore dhe rënia heroike. Gjersa vazhdon okupimi, edhe rezistenca vazhdon, me të tjerë veprimtarë të paepur, që duket se përsëriten, sepse populli është i njëjti.