Njohësi i politikave të jashtme, Branimir Gjokiç, ka deklaruar se njerëzit në Serbi jetojnë në iluzione se ekziston “vëllazëria serbo-ruse”.
“Këtu jetojmë me iluzione dhe askush nuk do t’i thotë të vërtetën këtij populli se atje nuk ka vëllazëri dhe dashuri”, ka thëne ai, transmeton media serbe e afërt me pushtetin, ‘Kurir’.
Nuk është e gabim të supozohet se shumica e qytetarëve serbë e perceptojnë Rusinë si një vend “mik dhe vëllazëror”.
Siç vërejti Gjokiç, në Serbi ka shumë “rusofilë që adhurojnë kulturën ruse dhe shoqërinë ruse”, duke shtuar se “shumica e atyre që e konsiderojnë veten rusofilë shkojnë në nivelin e të menduarit se Rusia do të sakrifikojë interesat e saj kombëtare për hir të interesave kombëtare serbe”.
Ai më pas shpjegoi edhe rrënjët historike mbi të cilën lindi “keqkuptimi” i të ashtuquajturës “vëllazëria serbo-ruse” dhe asaj se Rusia është ‘gardian’ i Serbisë.
“Pansllavizmi që u ngrit në Republikën Çeke dhe Poloni u përdor më vonë nga Rusia për qëllimet e saj politike dhe për të tërhequr popullin e sllavëve ortodoks në Ballkan”.
“Kjo më vonë çoi në Luftën e Parë Botërore”, kujtoi ai.
Megjithatë, sipas Gjokiç-it, ajo që është dëshpëruese është fakti se shumica e qytetarëve serbë mendojnë akoma se “rusët do të t’i ndihmojnë për shkak se nuk ka kush tjetër që të ndihmojë në këtë situatë katastrofike”.
Madje, duke parë se si po ndryshon arena gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, Gjokiç supozon se Rusia do ta jap Serbinë me pretendimin se ata do të marrin diçka në këmbin nga Perëndimi.
“Nëse ka një marrëveshje mes Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën, ne do të jemi në tryezë. Rusët do të na japin për të marrë diçka në Kaukaz ose Ukrainë”.