Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në sheshin e ri të Gjilanit, ku Antidroga ka kapur në flagrancë dy të rinj, njëri prej të cilëve iku.
Sinjali mëson se pasi policia ka ndalur të dyshuarit, të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë asgjë të kundërligjshme, e më pas kanë i kanë kontrolluar.
Posa nisi kontrolli i njërit prej tyre, me ç’rast u gjet edhe drogë, i dyshuari tjetër u zhduk para syve të zyrtarëve të Njësisë së Antidrogës.
I dyshuari që u kap me drogë është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Teksa shoku i tij është shpallur në kërkim, me urdhër të prokurorit ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.