I riu arbëresh Giuseppe di Gregorio, 28 vjeçar nga Hora e Arbëreshëve ( Piana degli Albanesi) nga Sicilia, që prej 3 vjetësh shtegton nëpër Shqipëri, shoqëruar nga aparati fotografik dhe një flamur me vitin 1488. Ai në një letër është shprehur se: “Kur shkela për herë të parë në tokën stërgjyshore, u ndjeva më i emocionuar se kurrë, krejt ndryshe nga ato udhëtime që kisha bërë nëpër botë!”
“Emri im është Giuseppe di Gregorio, unë jam 28 vjeç dhe jam Arbëresh nga Piana degli Albanesi, në Sicili. Si edhe shumë të tjerë nga vendi im, përpiqem të kontribuoj në ruajtjen e traditave, gjuhës dhe kulturës tonë, të cilën që nga viti 1488 vazhdojmë ta ruajmë me krenari dhe përkushtim. Që kur ishim të vegjël flisnim arbërisht dhe italisht dhe pyesnim veten pse ndiheshim në këtë mënyrë ndryshe nga pjesa tjetër e Italisë, dhe aty na treguan për heroin tonë Gjergj Kastriotin dhe luftërat që ai bëri.
“O e bukura More”, është një këngë që e këndonim që nga shkolla fillore, stolisur me shumë flamuj shqiptar dhe veshjen e famshme tradicionale që e veshim dhe për festat e shenjta. Të rritesh me ato ndjenja dhe tradita në zemër dhe të shkosh në Shqipëri është si të bësh një pelegrinazh për të atdheun e të parëve të tu. Dhe kështu bëra udhëtimin tim të parë në vitin 2017.
Duke punuar si Inxhinier në cisternat e naftës, kisha të drejtën për 3 çdo 4 muaj të bëja udhëtime njëmujore, kështu që pata mjaft kohë për të njohur historinë tonë, pikërisht tokën tonë antike, Shqipërinë. Kur shkela për herë të parë në tokën stërgjyshore, u ndjeva më i emocionuar se kurrë, krejt ndryshe nga ato udhëtime që kisha bërë nëpër botë! Kësaj herë u ndjeva për herë të parë sikur të isha në shtëpi.
Udhëtimi i parë ishte gati 3 muaj, eksplorova Shqipërinë nga qendra në jug, në juglindje ku u bëra vullnetar pranë Korçës, Bilishtit dhe në fshatrat malore. Kudo ku shkova njerëzit më pritën me krahë të hapur. Ata donin të dinin gjithçka rreth nesh dhe përdornin po atë gjuhë tonën, e pakuptueshme për italianët, e që më dha vërtet ndjenjën e përkatësisë.
Udhëtimi im nuk ishte i një turisti për pushime. Më pëlqente të ecja mes njerëzve, duke dëgjuar prej tyre tregime dhe shumë legjenda. Por gjëja që mbeti më së shumti në zemër është dashuria e tyre, dhe megjithëse shumë nga këta njerëz nuk kishin asgjë, atë ushqim të pakët ose atë pak raki që kishin e ndanin me mua.
Nuk mund ta imagjinoja se sa e bukur ishte ajo tokë dhe sa e vogël, e që kishte gjëra të pafund për të parë, kështu që i premtova vetes që të kthehem sërish. Dhe kështu bëra: 6 muaj më vonë u ktheva edhe 3 muaj të tjerë për t’i kushtuar studimit dhe muzeve, eksplorimeve në veri dhe vullnetarizmit.
Unë mendoj se kjo ishte përvoja më e bukur e jetës sime.
Ishte verë 2018, dhe falë Fra Angelo de Padova, një misionare Arbëreshe nga Puglia në Beltoje, unë kisha marr drejtimin e një vullnetari. Kam kaluar një javë në Sukth, afër Durrësit, ku bëra animacion për një famulli, kështu që u njoha me shumë fëmijë në emër të shoqatës Caritas Durrës- Tirane.”