ARKEP: Dukuria me mesazhet e MTS-it në Deçan nuk do të përsëritet më

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), nëpërmjet një përgjigje dërguar KOHËS ka sqaruar situatën me mesazhet e operatorit serb MTS, përreth zonës së Manastirit të Deçanit.

“Kjo dukuri ka ndodhur si pasojë e vendosjes së marrëveshjes roaming në mes të operatorit IPKO dhe atij të Serbisë MTS. Mesazhet në fjalë nuk i ka dërguar MTS, mirëpo janë mesazhe që u dërgon IPKO konsumatorëve të vet kur ata lokalizohen në roaming në një shtet të huaj”, thuhet në përgjigjen e ARKEP.

Sipas tyre, pas ngritjes së kësaj çështje te operatori IPKO, “ARKEP është informuar se ata e kanë zgjidhur problemin dhe se kjo dukuri nuk duhet të përsëritet më brenda territorit të Kosovës”.

“Sidoqoftë, për ta vërtetuar këtë, ne do të bëjmë matje, fillimisht në territorin e Deçanit, e pastaj edhe në disa lokacione tjera ku operon MTS. Në rast se hasen probleme të ngjashme, ARKEP do të kërkojë evitimin e tyre tek operatori IPKO”, përfundon përgjigja e tyre.