Bashkim Osmani, biznesmeni kosovar që u arrestua në Kroaci për llogari të FBI dhe DEA-s, mësohet se do të ekstradohet në Spanjë. Pas superoperaconit të organizuar nga dy agjencitë amerikane dhe policitë e disa vendeve të Europës, në bashkëpunim me Europol, ku u arrestuan 45 persona, Osmani mësohet se mund të jetë një nga koka e grupit që transportonte e trafikonte kokainë nga Amerikane Latine.
Gazeta gjermane Online Focus, e cila ka raportuar për arrestimin e Bashkim Osmanit, pasi ky i fundit qëndrimin bazë prej vitesh e ka në Gjermani si familje, aty ku janë që ne vitet ’80, shkruan se ishte në qendër të një hetimi ndërkombëtar të quajtur “Casino Fantauxia Operation” në të cilën është përfshirë edhe Byroja Federale e Investigimit, FBI.
“Bashkim Osmani, i njohur për pastrim parash dhe trafik global të drogës është arrestuar në Kroaci”, shkruan gazeta në fjalë.
Sipas tyre 600 oficerë policorë të përfshirë në këtë aksion kanë kontrolluar rreth 80 objekte dhe kanë arrestuar 44 të dyshuar.
“Në Majorca të Spanjës, një nga destinacionet të cilat u bastisën ishte edhe restoranti i Osmanit, ‘Ritzi Portals’, si dhe hoteli ‘BO’, Policia sekuestroi 86 piktura vaji me vlerë pesë milionë euro, shtatë makina supersportive, 16 ora luksoze dhe 200 mijë euro para të gatshme”.
Por sipas medias kroate, Bashkim Osmani ka deklaruar se nuk është fajtor dhe se ai prej vitesh ka qenë nën hetimin e shërbimeve sekrete.
“Më shumë se 30 vjet që merrem me biznes legal. Kam një shtëpi në Palma de Majorca, prej nga erdha të shtunën, më 12 shkurt, nëpërmjet Londrës dhe Italisë për në Kroaci, dhe kisha një biletë të rezervuar për t’u kthyer të dielën, më 20 shkurt. Nuk e kam problem të më dorëzojnë në duart e autoriteteve spanjolle, nuk kam lidhje me atë për çfarë më ngarkojnë”, citohet kosovari nga Jutarnji.hr.
Gazeta kroate thekson se me Osmanin, të njohur si bos i dyshuar i drogës, shërbimet sekrete merren që nga vitet ’90.
Ai u vu në pranga nga policia kroate me kërkesë të policisë dhe gjyqësorit spanjoll, të cilat nisën një operacion të madh të koduar si “Sky Eç” në disa vende evropiane përmes Eurojust-it, ku vetëm në Bruksel u arrestuan 45 persona dhe sekuestruan 1.2 milionë euro. Bashkim Osmani, bashkë me tre vëllezërit e tij, Bekimin, Qazimin dhe Burimin, u kapën në Kroaci.
Ishin mediat belge ato që të parat raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol.
Ai së bashku me tre vëllezërit e tij, Bekimin, Qazimin dhe Burimin, u kapën në Kroaci.
Nga ana tjetër, Bashkim Osmani kishte lidhje dhe me politikën, potencon media kroate.
Ai madje shërbeu një kohë dhe si këshilltar i Ministrit të Kulturës dhe Sportit të Kosovës. Ndërkohë, bazuar në një raportim të gazetës politike kroate Nacional, në një intervistë për këtë media në 2007-ën, Osmani kishte thënë se pas transferimit në Hamburg në vitet 1980, familja e tij kishte rritur ndjeshëm pasurinë që kishin në Kosovë.
Bashkim Osmani posedon një pasaportë kroate. Në vitin 2007 ai bleu një hotel në qendër të Poreçit, një qendër turistike në Kroaci. Ndaj dhe realizoi një intervistë për gazetën Nacional, duke thënë se ishte pasuruar duke investuar në prona të paluajtshme, fillimisht në Hamburg dhe më pas në Spanjë.
Familja Osmani konsiderohet një nga familjet më të pasura shqiptare në Gjermani.
Ajo është nga Gjakova, prej nga u shpërngulën në Hamburg në mesin e viteve 1980.
“Gjithçka filloi në fillim të viteve tetëdhjetë kur vëllai i parë Qazimi u largua nga Gjakova për në Gjermani, dhe ne shkuam pas tij. Në atë kohë në Jugosllavi, si shqiptarë, nuk kishim perspektivë, sidomos nëse ishe ambicioz”, tha ai.
“Familja jonë ka qenë gjithmonë e famshme. Në Kosovë edhe para Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj babai ka qenë politikan, ndaj as në Gjermani nuk kemi shkuar me kruese dhëmbësh në gojë. Ne kishim një nga restorantet më të mëdha në Prishtinë, ishim pronarë të parcelave të mëdha tokash në Kosovë, kishim aksione pronësie në argjendari, nuk mund të ankoheshim”, rrëfeu ai atë kohë.
Nga ana tjetër, kanë dalë fakte se vëllezërit Osmani kanë qenë financues të PD-së kohë pas kohë, duke qenë gjithashtu miq të ngushtë të të birit të Berishës, Shkëlzenit.