Arrestohen shtatë kosovarë nga Policia e Serbisë në Merdarë, familjari i dy prej të arrestuarve jep detaje

Shtatë persona nga Podujeva janë arrestuar të martën nga autoritetet serbe në kufirin Kosovë-Serbi, saktësisht në Merdare.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, qytetari nga Podujeva dhe familjari i dy prej të arrestuarve, Labinot Maliqi.

Maliqi tregoi se si policia serbe e ka ndal veturën në kufi dhe i kanë arrestuar vëllanë Dervish Maliqin dhe dhëndrin e tij, Esat Muqollin.

Ai tha se vetëm dje autoritetet serbe i kanë marrë shtatë persona, përfshirë vëllanë dhe dhëndrin e tij.

Maliqi theksoi se ai ka një kompani për bartjen e veturave dhe ishin nisur në drejtim të Gjermanisë.

“Unë kam qenë aty, jemi nis me shku për Gjermani, merremi me bartjen e veturave, në Merdarë i kanë ndal dhe ju kanë thënë veç shkoni parkojeni kerrin atje dhe hajdeni. Ata nuk i ka marrë policia e Merdares, po policia e BIA-së nga Beogradi. E kanë parku veturën, i kanë shti brenda. Më njoftuan, shkova…E pyeta policinë për çka po i merrni, e ai më tha ‘veç që jeni shqiptarë’. D.m.th kjo është hakmarrje që janë arrestu këta dje në Mitrovicë…ndërsa mua më lanë, ma dhanë veturën me dokumente. Ti tha je i lirë, shko merre veturën…”, tha ai.