Henri Çili, botues e komentator i njohur politik, themelues e presidenti i Universitetit Europian të Tiranës (UET), ka rënë në prangat e policisë orët e para të mëngjesit të së premtes. Paraprakisht, thuhet se ai është arrestuar me urdhër në Prokurorisë së Gjirokastrës, e për këtë arsye, nga Tirana është shoqëruar për në qytetin jugor, ku po mbahet në qelitë e paraburgimit të Komisariatit të atyshëm. Bashkë më të, thuhet se është arrestuar dhe avokati i tij Ilir Korbi, njëherësh drejtori juridik i UET-it e pedagog në këtë universitet.
Gjithashtu, me ta janë shoqëruar dhe shtatë persona të tjerë.
Akuza që rëndon mbi Çilin dhe të tjerët është ajo e ndikimit te drejtësia me joshje korruptive për të liruar anëtarë të bandës së Lazaratit.
Arrestimi i bujshëm ka ndodhur në të njëjtën kohë kur në Lazarat, policia ka hyrë sërish pas shumë kohës për një operacion tjetër kontrolli për armë.
Po kush është Henri Çili me pak fjalë?
Ai e nisi karrierën gazetareske në fundin e viteve 90 si reporter kulture. Më pas iku me studime në Francë, për t’u kthyer me inisiativa mediatike, arsimore e politike, duke zgjedhur dhe të promovojë teoritë liberale. Që atëherë, u shndërrua në personazh mediatik, duke mbajtur dhe qëndrime politike sa në njërin krah e sa në tjetrin. Aktualisht, pas mbrojti Ligjin e Arsimit të Ramës, tashmë ka dalë kundër tij, më saktë pro praktikave opozitare dhe pro Ilir Metës.
Ka themeluar ndër vite gazetat “Standart”, bleu “Mapo”-n e “Mjaft”-it,e së fundi themeloi “Liberale”-n. Themeloi dhe UET-in, ku ndërkohë, prej aty promovon në media personazhe të preferuara në rol pedagogësh, me prirje politike.