I dyshuari i tretë është arrestuar për rastin e grabitjes së një argjendarie në Suharekë ku i plagosur mbeti një polic, e një tjetër u lëndua.
Prokurorja e rastit Ervehe Gashi e ka konfirmuar për KALLXO se ka ndodhur edhe arrestimi i personit të tretë të dyshuar.
“Po është arrestu edhe i treti, nuk e di se kur do të mbahet seanca” – tha prokurorja.
E njëjta shtoi se është në pritje që të marr kallëzimin penal dhe nuk pranoi të jap detaje shtesë.
Rasti në fjalë është duke u hetuar nga Departmenti i Hetimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Siç mësohet nga burimet e mediumit arrestimi i të dyshuarit ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme.
Dy persona tjerë ranë në prangat e policisë gjatë ditës së djeshme për këtë rast.
Siç tha dje prokurorja e rastit, sot pritet që të mbat edhe seanca ku do të kërkohet caktimi i masës së parabugrimit ndaj të dyshuarve.