Arrestohet një polic i Kosovës, dëmtoi provat e aksionit për shkatërrimin e laboratorit të drogës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se është arrestuar një polic për shkak të dëmtimit të provave nga aksioni i djeshëm për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit.

Polici i arrestuar është nga Njësia e Reagimit të Shpejtë-Veri, i cili është dërguar edhe në mbajtje.

“Për shkak të dëmtimit të provave nga aksioni i djeshëm për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit, nga Inspektoriati Policor i Kosovës arrestohet një zyrtar policor nga Njësia e Reagimit të Shpejtë -Veri dhe dërgohet në mbajtje.

Zero tolerancë ndaj krimit, posaqërisht atij brenda rradhëve të policisë! Për polici të pastër në shërbim të ligjit e qytetarëve! Për polic të ndershëm e profesional!”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ndryshe, në ditën e djeshme një aksion i Policisë së Kosovës në Izvor të Zveçanit ka rezultuar me gjetjen e një laboratori të drogës, në të cilin ndodheshin rreth 11 mijë fije marihuanë. Paraprakisht në atë zonë ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, por nuk pati të lënduar. Në vendngjarje u gjetën gëzhoja plumbash.

Sveçla deklaroi dje se vlera e drogës së konfiskuar rezulton në vlerë 6 milionë euro