Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprën “kontrabandë me migrantë”.
A.G, dyshohet se iu ka siguruar disa personave viza Schengen, në ambasadën e një shteti të huaj, në një shtet tjetër jashtë Kosovës.
Sipas informacioneve të policisë për një vizë ai ka përfituar nga tre mijë e deri në pesë mijë euro.
“Policia e Kosovës, konkretisht Sektori i Hetimeve i Departamenti të Policisë Kufitare, ndërmerr veprime konkrete ligjore, pas hetimeve të gjata kundër të dyshuarit mashkull, kosovar me iniciale (A.G.), nën dyshimin e kryerjes se veprës penale “kontrabandim me migrantë”, ku konkretisht dyshohej se i njëjti person, qytetarëve të Republikës së Kosovës iu ka siguruar viza Schengen, në Ambasadën e një shteti të huaj, në një shtet tjetër jashtë RKS-së”.
“Sipas informatave i dyshuari për sigurimin e një vize, viktimave ua merrte shuma të ndryshme të parave, konkretisht nga 3000 (tre mijë) deri në 5000 (pesë mijë) euro”.
Po ashtu policia ka bërë bastisje në shtëpinë e të dyshuarit dhe aty ka gjetur armë, para dhe një varg provash të tjera që dyshohet se lidhen me rastin.
“Pas veprimeve të nevojshme ligjore nga Policia Kufitare e Kosovës dhe koordinimit edhe me autoritetet e shtetit respektiv, ku ndodhej ambasada e shtetit të huaj, sot më 27.10.2021 me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë është bërë kontrolli i shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse të të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë gjetur dëshmitë si në vijim: Një Revole 7.65 “Cr. Zastava”, 32 Plumba të revoles 7.65 mm, këllëf i revoles (Cr Zastava), Një Revole Ekol Aras Magnum, 13 Plumba me gaz të revoles Ekol Aras Magnum, Një Iphone 11 Pro Max, mbi gjashtë mijë euro para të gatshme, si dhe dinar të Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut”.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të mbrojtësit të angazhuar sipas detyrës zyrtare dhe me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i njëjti dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.