Zyrtarët e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, kanë rënë dakord, të enjten në Berlin për masat që do të shërbejnë në frenimin e migracionit të paligjshëm nga shtetet e Ballkanit Perëndimor drejtë Bashkimit Evropian.
Harmonizimi i politikës së vizave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet e BE-së po konsiderohet si një ndër masat më të rëndësishme të rëna dakord, dje në takimin e ministrave të Punëve të Brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në kuadër të Procesit të Berlinit.
Kështu të paktën thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë.
Në këtë takim mes tjerash është arritur edhe një marrëveshje për mbrojtjen efektive të kufijve me mbështetjen e agjencisë evropiane Frontex dhe për procedurat për kthimin e refugjatëve që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në BE në vendet e tyre të origjinës.
Krahas marrëveshjes për migracionin, është arritur edhe një marrëveshje e cila parasheh intensifikimin e bashkëpunimit të shteteve të BE-së me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kjo do të përmirësojë situatën e sigurisë jo vetëm atje, por edhe në BE dhe më gjerë”, ka thënë Nancy Faeser, ministrja e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, e cila ishte edhe organizatorja e këtij takimi në kuadër të Procesit të Berlinit.
Të ftuar në këtë takim ishin ministrat e punëve të Brendshme të Austrisë, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Kroacisë, Italisë, Polonisë, Sllovenisë, Republikës Çeke dhe Britanisë së Madhe, si dhe përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim nga BE-ja pjesëmarrëse ishte Komisionerja për Punë të Brendshme Ilva Johansson.
Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, si vazhdimësi e Konferencave të mëparshme për Ballkanin Perëndimor.
Qëllimi i procesit është përshpejtimi i bashkëpunimit mes gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së si dhe integrimi i këtij rajoni në Union.
Nisma fokusohet kryesisht në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili do të ishte bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Sivjet, përveç takimit të nesërm të ministrave të punëve të brendshme, takimi i krerëve të diplomacisë së vendeve pjesëmarrëse është planifikuar të mbahet më 21 tetor, ndërsa të ministrave të energjisë në 24 tetor.