Ata që nisën studimet para 2021-s në kolegje private, mund të japin mësim në institucione publike

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka sqaruar ndryshimet e fundit ligjore të iniciuara nga kjo ministri për studentët e kolegjeve private nëse do të kenë të drejtë të punësohen në institucione publike të arsimit.

Kjo Ministri së fundmi ka miratuar udhëzimin administrativ për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm, duke shfuqizuar atë të vitit 2018. Në këtë udhëzim nuk është përfshirë programi “Përkujdesja dhe mirëqenia sociale”. Sipas MASHTI-t, me Ligjin për Arsimin e lartë, neni 16, pika 5 definohet se “vetëm bartësit publikë të arsimit mund të ofrojnë programe studimi që çojnë në kualifikimin e një mësimdhënësi për t’u punësuar në një shkollë”.

Iniciativat ligjore krijuan paqartësi te studentët e kolegjeve private, nëse pas përfundimit të studimeve mund të punësohen si edukatorë në institucione publike.

Të shtunën, në një postim në Facebook, Nagavci ka dhënë sqarime duke thënë se studentët që kanë filluar studimet në programin “Përkujdesje dhe mirëqenie e fëmijëve” pas datës 26 shkurt 2014 dhe para 18 qershorit të sivjetmë, do të kenë të drejtë të punësohen në institucionet edukative-arsimore.

“Është me rëndësi ta theksoj që përkundër se programi ‘Përkujdesje dhe mirëqenie e fëmijëve’ atakohet me UA, studentët që i kanë filluar studimet në këtë program pas hyrjes në fuqi të UA 09/2014 të datës 26.02.2014 dhe para hyrjes në fuqi të UA nr. 05/2021 të datës 18.06.2021 do të kenë të drejtën e punësimit në institucione edukative-arsimore. Të diplomuarve u është ofruar siguri juridike dhe nuk u cenohet e drejta në punësim”, ka deklaruar ajo.

Nagavci ka shtuar se udhëzimet e kaluara “kanë rënë ndesh me ligjin” dhe se “për këtë arsye dyshimet tona në lidhje me këtë i kemi adresuar në organet kompetente”.

Në fund Nagavci ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit të zbatojnë legjislacionin në fuqi.