Përkundër stigmës, fjalëve e përqeshjeve, Atdhe Zeneli vendosi ta çojë një hap tutje pasionin e tij për qepjen, duke krijuar një biznes.
Në emrin “Azzy” mund të gjenden xhemperët, bikinet e shallet me ngjyra e dizajne të ndryshme të krijuara nga 23-vjeçari.
“Ka pasur komente të shumta, por është e vetmja punë që unë dua dhe më relakson”, thotë ai.
Ideja e krijimit të biznesit nuk ishte e tij, shton Atdheu.
Të parën punëdore e bëri për njërën nga shoqet, në pamundësi për një dhuratë tjetër.
E tash “Azzy” po pranohet shumë mirë edhe nga fytyra publike.
Grepin, mënyrën e thurjes e shumëçka i mësoi nga gjyshja.
Por talentin nuk e shpreh vetëm aty. Zeneli rimodelon edhe rrobat personale. “Asnjëherë nuk e vesh rrobën ashtu si e kam blerë, çdo herë shtoj një dizajn në të”.
Sipas Atdheut, orët që shpenzon duke punuar me grep janë më të pëlqyerat.
Çmimet e këtyre produkteve varen nga shumë faktorë, thotë 23-vjeçari. E porositë duhet bërë disa ditë më herët.