Një atentat me tritol është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Vaun e Dejës. Objektiv ka qenë kreu i Rithemelimit në degën e Vaut të Dejës, Benard Ndreca i cili sapo kishte hipur në mjet dhe ndodhej me nënën e tij. Si pasojë e shpërthimit, nuk ka pasur të lënduar, vetëm dëme materiale çka lë të kuptohet se sasia e tritolit ka qenë e vogël.
Report Tv ka siguruar pamjet nga momenti kur dy persona të maskuar kanë vendosur sasinë e lëndës plasëse në mjet si dhe të momentit të shpërthimit.
Fati duket se e ka shpëtuar kreun e ‘Rithemelimit’ në Vaun e Dejës, Benard Ndocin t’i shpëtonte atentatit me tritol që shpërtheu sapo i dha makinës.
Sipas burimeve të gazetarit të Report Tv, lënda plasëse ka rënë në tokë dhe kjo ka bërë që shpërthimi të ishte më i pakët seç ishte parashikuar.
Benard Ndreca ka reaguar pasi i shpëtoi atentatit me tritol që ishte vendosur në mjetin e tij tip ‘Audi’. Ai u shpreh se nuk ka konflikte me askënd dhe se ky është një sulm i hapur politik. Më tej u shpreh se nga kamerat e sigurisë arritën të dallonin dy persona me maskë që vendosën sasinë e lëndës plasëse në mjet rreth orës 1:15 të mbrëmjes. Ndreca bëri thirrje që politika të distancohet policia dhe të lënë qytetareët të lirë të votojnë.
Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 07:10 në fshatin Paçam pranë banesës së Ndrecës. Sasia e tritolit u vu në pjesën e përparme të makinës ndërsa shpërthimi ka ndodhur në momentin që Benard Ndreca ka hipur në mjetin e tij tip ‘Audi’. Shpërthimi dyshohet se është kryer me telekomandë. Provë e dobishme për efektivët e policisë janë kamerat e shumta të sigurisë në banesën e Ndrecës. Pamjet janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe do mund të zbardhin ngjarjen e rëndë dhe autorët. Një pistë për shkakun e atentatit, mund të jetë një mesazh nga posti i tij politik në prag të zgjedhjeve vendore.
Fillimisht, Benard Ndreca ka ndezur makinën, e ka lënë ndezur dhe është rikthyer në banesë për të veshur këpucët. Ai është rikthyer në makinë dhe më pas në momentin që ka qenë duke u nisur, makina e tij tip ‘Audi’ ka shpërthyer në pjesën e përparme. Me të ka qenë edhe e ëma e cila ishte duke e pritur në pjesën e prapme të makinës.
Në vendin e ngjarjes janë paraqitur policia dhe prokurori i caktuar kanë kryer veprimet hetimore, teksa ka mbërritur dhe ish-deputeti i PD-së Zef Hila, i cili kandidon më 14 maj për kryetar të bashkisë. E pranishme është edhe deputetja e PD Greta Bardeli.