Auditimi gjen “një mal” me shkelje në Komunën e Prishtinës

Vonesa në shqyrtimin e kërkesave për lejet ndërtimore, probleme në verifikimin e pronave komunale, zbritje të parregullta të faturave te tatimpaguesit dhe parregullsi në procesin e subvencioneve, janë vetëm disa nga shkeljet që ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditmit gjatë auditimit bërë komunës së Prishtinës për vitin 2020.

Ndonëse sipas Ligjit mbi lejet ndërtimore, leja duhet të lëshohet brenda tridhjetë ditëve pas pranimit të kërkesës për leje ndërtimore për kategorinë I dhe dyzet e pesë ditë për kategoritë II dhe III, komuna nuk kishte respektuar afatet ligjore për lëshimin e lejeve ndërtimore.

Sipas ZKA-së, nga 13 nga 18 mostrat e testuara të lejeve të ndërtimit, vonesat në shqyrtim të këtyre kërkesave ishin nga një deri në 11 muaj.

“Kjo situatë ka ndodhur si rezultat i numrit të madh të kërkesave për leje të ndërtimit, mos mbajtja e lëndëve në mënyrë të organizuar si dhe stafit të pamjaftueshëm. Zyrtarët komunal kanë shtuar se “kriteri ligjor i ditëve për lëshimin e lejeve të ndërtimit, është shumë ambicioz, në raport me numrin e kërkesave dhe kapaciteteve njerëzore në Drejtorinë e urbanizmit, kjo ka ndikuar që lëndët dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit të bëhen me vonesë” thuhet në raport.

Në vitin 2014, Komuna kishte bërë verifikimin e të gjitha pronave komunale, në mesin e të cilave edhe ngastrat në “Zonën Industriale”.

Sipas auditorit të paktën 37 parcela të kësaj zone me rreth 6 hektarë, shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj Komunës.

“Komuna ka humbje financiare për shkak se nuk inkason të hyra nga qiraja për këto parcela që shfrytëzohen pa rentë. Kjo çështje është ngritur edhe në raportin e vitit të kaluar dhe vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Megjithatë, nga Komuna nuk është ofruar ndonjë shpjegim konkret, pse nuk është ndërmarrë asnjë veprim për ta adresuar këtë çështje” thotë raporti i auditimit.

Një tjetër shkelje që ka evidentar ZKA është se kontratat për shfrytëzimin e banesave të dhëna vite më parë për ish këshilltarët komunal po vazhdojnë të shfrytëzohen përkundër faktit se kontratat kishin skaduar derisa borxhi i akulumuar i komunës arrin në vlerën prej mbi 15 mijë euro.

“Në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal, në vitin 2007 ishin dhënë me qira 21 banesa për ish këshilltarët komunal. Ndërsa, me vendimin e komisionit për çështje banesore në vitin 2008 ishin dhënë edhe 22 banesa tjera me qira për punëtorët administrativ. Në dy rastet sipas kontratave afati i shfrytëzimit ishte për periudhën 10 vjeçare. Prej tyre, kemi testuar katër raste dhe kemi gjetur se këto kontrata kanë skaduar dhe të njëjtat nuk janë vazhduar më, edhe pse qiramarrësit vazhdojnë ta shfrytëzojnë pronën publike/banesat. Përveç kësaj edhe pse kompensimi ishte minimal (0,30€/m2 ) pagesa e qirasë nuk ishte bërë me kohë të rregullt dhe figuronin borxhe të akumuluar nëpër vite në vlerë 15,874 euro “ nxjerr në pah auditori.

Një tjetër shkelkje që ka evidentuar ZKA ëhtë se në tri nga gjashtë mostrat e testuara, Komuna ka lejuar zbritjet prej 15,000 euro duke i evidentuar si vendbanime parësore për dy a më shumë prona në pronësinë e një tatimpaguesi, për këto raste ishte bërë nën-faturim në vlerë prej 1,395 euro.

“Nga analiza e bazës së shënimeve të Protax-it kemi konstatuar se edhe në 60 raste tjera (prona/objekte të tatim-paguesve), ju ishte bërë zbritja e parregullt (që nuk lejohet me ligj) të vendbanimit parësor prej 15,000 euro dhe Komuna për arsye të këtij nën-faturimi ka humbje financiare rreth 10,000 euro.

Kurse në tri mostra tjera auditori ka gjetur se është bërë mbi-faturim në vlerë prej 67.5 euro duke mos u aplikuar zbritja adekuate e vendbanimit parësor të një prone (objekti) për tatimpaguesit.

“Nga analiza e bazës së shënimeve Protax, si rezultat i mos zbritjes së vendbanimit parësor prej 15,000€ të një prone për tatimpaguesit, Komuna ka mbi-faturuar 350 tatimpagues tjerë në vlerë prej 7,875 euro”.

Auditori gjithashtu ka evidentuar se komuna i kishte ndarë një përfituesi të subvencionit për projektin “Table Stories” në fushën e kinematografisë, në vlerë prej 6,000 euro, nuk e kishte realizuar projektin e financuar brenda afatit të paraparë në kontratë që ishte deri me dt.31.12.2020.

“Komuna nuk kishte monitoruar nëse projekti i subvencionuar po realizohet nga përfituesi dhe nuk kishte pranuar njoftim zyrtar për mos realizim të projektit nga ana e përfituesit. Pas kërkesës sonë për informata rreth realizimit të projektit (22.02.2021), përfituesi ka njoftuar përmes e-mail-it se projekti ka pasur vështirësi dhe nuk është realizuar sipas afatit të planifikuar, por pritet të realizohet në muajt në vazhdim. Deri në kohën e përfundimit të auditimit (26.03.2021), auditori nuk ka pranuar ndonjë raport apo dëshmi se projekti është përfunduar”, thotë raporti i ZKA-së.