Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefail Bajqinovci, përmes një postimi të bërë në llogarinë Facebook, iu ka kundërpërgjigjur Arban Abrashit të LDK-së.
Ai e ka ftuar LDK-në dhe Abrashin që të dalin hapur dhe të tregojnë se Kurti po rrëzohet për shkak të tekeve të Veliut, për të cilin thotë se po merr urdhëra nga partitë e tjera, transmeton Indeksonline.
Ky është postimi i plotë:
Arban Abrashi tha sot se LDK-ja po e rrëzon qeverinë Kurti kinse për shkak që nuk po hiqet taksa dhe raportet Kosovë-SHBA po përkeqësohen, gjë që nuk është e vërtetë. Atëherë pse sot u ulët në një tavolinë me kreun e AAK-së, i cili është absolutisht kundër heqjes së taksës.
LDK-ja dhe Abrashi le të del hapur e le të tregojë se Kurti po rrëzohet për shkak të tekeve të Veliut i cili merr urdhra nga partitë tjera që kanë qeverisur më herët. Le të tregojë se LDK-ja mban një marrëveshje të fshehtë me PDK-në, të koordinuar nga presidenti Thaçi, që ta rrëzojnë Kurtin nga qeveria.
Qeveria Kurti po bën punë shumë të mira, më shumë se qeveritë e kaluara që udhëhoqën me kombinacione të ndryshme. Ne shkarkuam bordet që kishin vjedhur, shkatërruar dhe falimentuar kompanitë publike, e të cilat ishin emëruar pikërisht nga qeveritë e kaluara. Gjithashtu, qeveria Kurti, arriti të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, punë për të cilën kemi marrë lavdata nga ndërkombëtarët.
Nuk ka skandale dhe vjedhje në qeverinë Kurti andaj krejt opozita është në hall me qeverisjen tonë.