Ballkani bëhet gati të presë Merkel. Të martën në Tiranë takon Ramën e Kurtin e Zaev

Vizita e kancelares Angela Merkel në Tiranë, ditën e martë, shihet se do i japë mbështetje bashkëpunimit rajonal brenda perspektivës së Bashkimit Evropian. Në Prishtinë pritet qëndrimi që kancelarja do të mbajë mbi nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën Kosova e kundërshton.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet javë e ardhshme t’i japë mbështetjen e fundit zyrtare axhendës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Takimi në Tiranë më 14 shtator me kryeministrin Edi Rama do e vërë theksin te çështjet ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Në kryeqytet do të ndodhet të martën edhe kryeqeveritari i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeziu: Samitit të radhës të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që pritet të mbahet në Slloveni më 6 tetor të këtij viti, po i paraprinë një vizitë e kancelares Merkel në rajon. Ky është mesazh i fuqishëm e mbështetës për Procesin e Berlinit, për bashkëpunimin rajonal brenda agjendës evropiane dhe po ashtu mesazh edhe për rolin e rëndësishëm që Gjermania ka në gjithë këtë proces. Andaj në takimin që pritet të mbahen gjatë javës së ardhshme në Tiranë, mes kryeministrit Kurti dhe kancelares Merkel pritet të bisedohet për bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit dhe për çështje dhe tema bilaterale në interes të dy vendeve tona.

Për nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, vizita e Merkelit ka rëndësi të jashtëzakonshme për rajonin.

“Vizita e zonjës Merkel në Ballkan është e rëndësisë së jashtëzakonshme, e dimë që zonja Merkel ka qenë ideatorja kryesore e themelimit të Procesit të Berlinit në vitin 2014. Është mëkat që ajo s’do të vazhdojë të paktën në pozicionin e saj të angazhohet për të promovuar Ballkanin Perëndimor në kuptim të integrimit në BE. Por është mesë e rëndësishme që të paktën në përmbyllje të mandatit të bëjë edhe një vizitë të fundit në këto vende.”

Kancelarja në largim ideoi Procesin e Berlinit në vitin 2014, duke u lënë vendeve të rajonit si detyra zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, fqinjësinë e mirë dhe ndërlidhjen mes popujve përpara se të aderojnë në BE.

Këtë vit, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dolën veçmas me “Ballkanin e Hapur”, një nismë të cilën Gjermania e ka përshëndetur.

Por Demush Shasha që drejton Institutin e Kosovës për Politikat Evropiane, thotë se nisma duhet të ketë aprovimin edhe të Bashkimit Europian.

“Kancelarja do të e bëjë jashtëzakonisht të qartë se iniciativa e ‘Open Ballkan’ nuk do të ketë mbështetjen e Qeverisë Gjermane, pastaj të BE-së si tërësi. Kjo është e para që besoj do të thuhet, jo aq zëshëm në publik, por patjetër në takimet e mbyllura. E dyta, nëse kjo e para nuk ndodh është se zonja Merkel do të bëjë të qartë se iniciativa “Open Ballkan”, ashtu siç është konceptuar dhe nisë nuk do të ketë mbështetjen gjermane nëse nuk inkorporohet brenda Procesit të Berlinit. Pra me fjalë të tjera, samitet siç i kemi pa deri tani në Novi-Sad, Tiranë, Ohër nuk do të zhvillohet në këtë formë, por do të jenë në koordinim të plotë me BE-në dhe si të tilla do të kenë aprovimin e BE-së. Njëra nga këto dyja do të ndodhë.”

Kancelarja Merkel do e nisë turin ballkanik të hënën me Serbinë, ndërsa në Tiranë do të takojë edhe kryeqeveritarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, vizita lamtumire këto përpara largimit të saj nga politika.