“Banda Rrraja” – Dhuna ndaj kushërinjve Maja, Policia: Xhelal dhe Rexhep Rraja organizatorë të ngjarjes. Shpallen në kërkim edhe 2 persona të tjerë

Xhelal dhe Rexhep Rraja janë identifikuar nga policia si organizatorë të dhunës barbare ndaj dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, uniformat blu i kanë bërë thirrje të dyve që të dorëzohen sa më parë në polici. Të njëjtën thirrje e pati edhe për katër personat e tjerë të shpallur në kërkim.


“Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për t’u dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale”, tha policia.

Policia deklaroi se sot janë shpallur në kërkim Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç. Ata janë identifikuar pas këqyrjes së pamjeve filmike.

“Po kështu, në vazhdim të veprimeve hetimore dhe këqyrjes së pamjeve filmike u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, konkretisht shtetasit Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç. Ndërsa gjatë ditës së djeshme u shpallën në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja”, thuhet në njoftimin e policisë.



Ndërkohë janë shoqëruar edhe 4 persona të tjerë me lidhje të afërta fisnore dhe shoqërore të të shpallurve në kërkim.

“Gjithashtu gjatë mëngjesit të sotëm u bë shoqërimi në ambientet e Policisë i 4 shtetasve, L. Rr., D. Rr., H. Rr., dhe A. Rr., lidhje të afërta fisnore dhe shoqërore të shtetasve të shpallur në kërkim dhe po vijojnë veprimet hetimore të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e pozitës së tyre në raport me ngjarjen”.

Po këtë të shtunë, policia ka ushtruar kontrolle në disa biznese, banesa dhe ambiente të ndryshme në pronësi të të shpallurve në kërkim.

“Gjatë operacionit u kontrolluan 20 banesa, biznese dhe ambiente të ndryshme në pronësi të shtetasve të shpallur në kërkim Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja, dhe të peronave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, njoftoi policia.



Një ditë më parë u ndaluan  Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Po ashtu është vendosur që të rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese e komisariatit të Policisë Krujë. Drejtues operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë në këtë komisariat do të mbajë Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.

“Gjithashtu në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se ka organizuar grupe të posaçme operacionale dhe hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

“Operacioni nuk do të ndalet deri në kapjen e organizatorëve dhe personave të shpallur në kërkim”, njoftoi policia.