Lulzim Basha mblodhi këtë të hënë Kryesinë e Partisë Demokratike dhe ka thënë se Sali Berisha mund t’i shpallë luftës Amerikës, por këtë nuk mund ta bëjë në emër të PD-së. Po ashtu kreu Basha ka bërë me dije se Kuvendin Kombëtar e thërret më 18 dhjetor.
”Prej dy muajve Sali Berisha ka vijuar një aksion që nuk ka lidhje me PD, me të sotmen dhe të ardhmen e kësaj partie, me nevojën që kanë demokratët dhe shqiptarët për të parë PD të udhëheq vendin.
Ka vendosur që një problem të tij personal me SHBA t’ia imponojë partisë si problem të PD. Për këtë ka njoftuar në Facebook një miting me datë 11 dhjetor, që ngjan më shumë si një nevojë për t’i kundërvënë një pjesë të vogël të Partisë Demokratike, aleatit tonë më të rëndësishëm strategjik SHBA.
E drejtë e tij, ta bëjë, t’ia kundërvendosë, mund t’i shpallë edhe luftë nëse dëshiron, por këtë siç kam thënë prej ditës së parë, nuk e bën dot as në emër të demokratëve dhe as në emër të PD”, mësohet të ketë thënë Basha në mbledhjen e kryesisë së partisë.