Njëri ndër gjeneralët më të njohur gjatë luftës në Kroaci, Rrahim Ademi, në një intervistë të rrallë të tij, ka treguar arsyet, që sipas tij e shtynë që të mos bëhet pjesë luftës së Kosovës.
“Unë nuk isha i interesuar për komandë, le të jetë dikush tjetër. Unë isha i interesuar për punë, unë ua bëj planifikimin e luftës”, tha gjenerali i ushtrisë kroate me origjinë nga Kosova, Rrahim Ademi.
“E para: në atë kohë isha i paditur në Hagë. E dyta, sepse çdo largim i imi nga Kroaci do të më kishin futur në burg. E treta, pa marrë parasysh, kemi pas një mbledhje në Split, para fillimit të luftës, ka qenë Bedri Selmani, Naim Shala, ka qenë dy shqiptarë prej Bosnjës, kanë qenë prej UÇK-së, ka qenë Ton Berisha dhe në atë mbledhje mirë iu kam thënë: Unë s’jam i interesuar për komandë, le të jetë komandant dikush prej Kosovës, të bëhet Sylejman Selimi, unë jam i interesuar për punë, unë po ua bëj planifikimin e çlirimit të Kosovës dhe të gjitha operacioneve. Unë vendlindjen vatanin e du me zemër, e jo për interes e pare”, tha ndër tjerash Ademi.
“Pas kësaj mbledhjeje këta e kanë bërë gabim, kush e ka bërë se di, ata janë hi në një bisedë ilegale me Agim Cekun, ne jemi marrë vesh aty me bashkëpunu në atë drejtim, pasi ai u shku në pension, Agim Ceku u bë komandat. Masi ai u bë komandant, çka me bo unë aty. S’mundem me u bë unë ndihmës i një ushtarit tem që në Kroaci në atë kohë nuk ka pas kurrfarë rezultati”, deklaroi në rrëfimin e tij gjeneral Rrahim Ademi.
E lidhur me deklarimet e Rrahim Ademit, për gazetën “Bota sot” ka folur Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.
“Intervista e gjeneral Rrahim Ademit, njërit ndër gjeneralët më meritor dhe më me nam në luftën e Kroacisë, ngjalli kureshtje të jashtëzakonshme për popullatën shqiptare, në Kosovë dhe mërgatë. Kjo intervistë edhe pse e vonuar vërtetoi disa gjëra të thëna tani e 22 vite më parë, qoftë në intervista televizive, në gazeta dhe libra të shkruara nga personat kompetent. Ajo që u vërtetua në këtë intervistë ishte se pjesa dërmuese e oficerëve aktiv që kishin shërbye në APJ, shiheshin si të dyshimtë dhe ishin të padëshiruar në angazhimin e tyre në luftën në Kosovë”, thotë Tahiraj.
Ai thotë se LPK zgjodhi oficerë me të kaluar të dyshimtë.
“Shtabi i LPK-së zgjodhi me kujdes disa oficer të cilët nuk kishin grada të larta ushtarake. Kishin të kaluar të dyshimtë dhe lehtë u nënshtroheshin urdhrave të atij shtabi, i cili ishte i përberë nga drejtues të LPK-së dhe nuk kishin njohurit minimale ushtarake për drejtimin e luftës”, thekson Tahiraj.
Por Tahiraj shprehet i habitur që gjeneral Ademi nuk foli për Ministrin Ahmet Krasniqi, ani pse kishin kontakte me të.
“Në tërë intervistën e gjeneral Rrahim Ademit çuditërisht nuk dëgjova askund të përmendet emri i ministrit të mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi, edhe pse ka pasur biseda me të. Një gjeneral me aq shumë dije profesional dhe me aq shumë autoritet në Kroaci dhe Kosovë, nuk po mundë ta kuptoj se si bën marrëveshje me disa persona të LPK-së, pa fije njohurie ushtarake”, deklaron Saim Tahiraj.
Për fund, Tahiraj ka drejtuar edhe disa pyetje ndaj gjeneral Ademit.
“Në atë kohë veç kishim MMRK që përbëhej nga ushtarak profesionist, me grada të larta ushtarake gjegjësisht kolegë të gjeneral Rrahim Ademit. Me shumë respekt për gjeneral Rrahim Ademin por mendoj se intervista e tij është gjysmake deri sa nuk sqaron: A ka pasur kontakte me ministrin kolonel Krasniqi? A ka pasur kontakte me zëvendës ministrin Agim Mehmeti? A jeni ftuar për të ju bashkangjitur MMRK? Nëse po cila është arsyeja e mos angazhimit tuaj në këtë ministri apo SHSFARK?”, përfundon për “Bota sot”, Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.