Prindon Sadriu, bashkëshorti i kandidates së LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka akuzuar oponentët e kësaj të fundit për garë jo fer në zgjedhjet e 6 tetorit. E ka vënë gishtin drejt Agim Bahtirit të Vetëvendosjes, duke thënë se një portal i financuar nga ai ka fabrikuar gënjeshtra edhe në ditën e zgjedhjeve.
“Sulme, shpifje, sajime, gënjeshtra, fabrikime e idiotizma. Nuk u la gjë pa u përdorur kundër Vjosës, mua dhe familjes sonë nga dy anët e bolshevikëve. Bolshevikët në publik atakonin njëri tjetrin, ndërsa natën skutave fabrikonin lajme të rreme, shpifje. Gjithat kundër Vjosës. Kundër saj, sepse pikërisht te ajo shihnin rrezikun nga humbja e thellë. Prandaj edhe u bënë bashkë”, ka thënë Sadriu, në një postim të tij në Facebook.
“Nuk heshtën as gjatë heshtjes zgjedhore, të shtunën e të dielën. Për heshtje nuk brengosej as një pseudoportal i financuar nga Agim Bahtiri i cili nuk la gënjeshtër pa fabrikuar ditën e zgjedhjeve dhe një ditë para saj, duke thyer çdo normë të demokracisë e kodit elektoral. U fabrikuan video montazhe, foto montazhe e çka jo tjetër. Temë negative nëpër medie u bë edhe fakti se unë nuk kisha votuar në të njëjtin vend votim sikur Vjosa. Kjo u bë pikërisht ditën e zgjedhjeve. Deri aty shkonin metodat stasiane të sulmeve të oponentëve”, ka thënë më tej ai.
Sipas tij, kush do që i interpreton këto zgjedhje si garë fer, është larg të kuptuarit të nocionit dhe sistemit të demokracisë.
“Këso ‘fitore’ nuk i bëjnë nderë asnjë partie. Fushata e ulët dhe denigruese e mbushur me fabrikime dhe gënjeshtra është shqetësuese për cilëndo parti që synon pushtetin. Kosovës i duhet shembull i vlerave më të larta të demokracisë dhe i mirësjelljes, jo shembull i ardhjes në pushtet pa zgjedhur mjete e duke shkelur mbi të tjerët”, ka thënë ai. “Bolshevizmi është sëmundje! Unë BESOJ në një Kosovë ndryshe nga kjo që kemi. Pa bolshevikët!”, ka thënë më tej.