BBC-ja shkruan për Sadik Durakun, i cili po mbahet në burg në Serbi nga prilli

Mediumi i njohur britanik “BBC” ka shkruar për Sadik Durakun 54-vjeçar, baba i tre fëmijëve që është arrestuar në Serbi më 17 prill të këtij viti. 

Duraku, që ka shtetësinë britanike, po akuzohet për kryerje të krimeve të luftës si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuza që familja dhe avokatët e Durakut i mohojnë.

Familja e Durakut ka kërkuar ndihmë nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne po e mbështesim një britanik të arrestuar në Serbi dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”, është thënë nga Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO).

Duraku ka lindur në Kosovë. Në vitin 1998, atij dhe familjes së tij iu aprovua azili në Mbretëri të Bashkuar, ndërkohë që lufta në Kosovë kishte shpërthyer.

Ai u bë shtetas britanik në vitin 2002, dhe ndërtoi një jetë duke drejtuar një autolarje përpara se të dilte në pension për shkak të problemeve shëndetësore.

Më 17 prill, Duraku u arrestua teksa po kalonte kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, një udhëtim që ka bërë shumë herë më parë.

Ai u ndalua nga policia kufitare serbe dhe u akuzua për krime lufte, që autoritetet serbe pretendojnë se i ka kryer kur ishte në UÇK.

Po atë ditë, rreth 1000 tjerë u ndaluan nga autoritetet serbe, por vetëm një numër i vogël u akuzuan përfundimisht.

Akuzat fillestare ishin se Duraku ka marrë pjesë në krime lufte kundër popullatës lokale në vitin 1999.
Familja e tij thotë se këto akuza janë të pabaza dhe thotë se ai kurrë nuk ka qenë i përfshirë në luftë, nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe nuk ka marrë pjesë në ndonjë dhunë.

“U shokuam”, ka thënë vajza e tij Zana Duraku.

Familja e tij ka mbledhur dokumente të shumta për të dëshmuar se ai ishte në Mbretëri të Bashkuar dhe nuk kishte dokumentet e nevojshme për t’u larguar nga vendi nga dhjetori i vitit 1998 deri në marrjen e shtetësisë britanike më 2002.

Avokati i Durakut, Michael Polak, ka thënë se e gjithë çështja është mbështetur kryesisht në një letër.
Me sa duket nga një individ serb “që supozohet se jeton në Gjermani”.

“Ajo letër i atribuohet dikujt që nuk duket të jetë person real”, ka thënë Polak.

Polak thotë se nuk duket se është nga një adresë e vërtetë ajo letër dhe përmban thirrje për “ta torturuar z. Duraku derisa të dalë e vërteta prej tij”.

“Është shumë e pazakontë të bazohet një rast për krime aq serioze, si krime lufte, në këtë lloj dokumenti. Rastet e krimeve të luftë zakonisht kanë grumbuj të dëshmive për lëvizjet dhe veprimet”, tha Polak, që shton se “letra është ose e sajuar apo potencialisht është shkruar nga dikush që ka inat ndaj z. Duraku”.

“Këto janë akuza për krime lufte të bazuara në dëshmi vërtetë të dobëta të kësaj letre. Po flasim për dikë me probleme shëndetësore, që duhet të lirohet me kusht dhe të kthehet në Mbretëri të Bashkuar”.

Polak tha se është e vështirë të thuhet se cilat janë motivet prapa këtij rasti.

Zyra e Prokurorisë së Serbisë për krime të luftës nuk është përgjigjur në kërkesën e BBC-së për koment.

Stefan Jovanoviq, nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, një think-tank me seli në Beograd, ka mbrojtur trajtimin serb të rasteve të krimeve të luftës duke thënë se shteti i tij “ka përvojë të madhe” lidhur me këto dhe se pret që Duraku të ketë një gjykim të drejtë.

Sipas ligjeve në Serbi, një i akuzuar si Duraku mund të mbahet deri në gjashtë muaj në paraburgim derisa prokuroria të vendosë të ndërtojë çështjen e saj dhe të vendosë nëse do të vazhdojë me gjykim.

Frika dhe shqetësimet e familjes po rriten për shkak të shëndetit të brishtë të Durakut.
Së fundi ai ka pësuar një sulm në zemër dhe është me medikamente, të cilat familjarët ia kanë dorëzuar gjatë vizitës në burgun në Beograd.

Zana Duraku thotë se stresi i paraburgimit po e rëndon babanë e saj shumë. Ajo tha se kjo ngjarje e ka goditur rëndë tërë familjen.

“Nuk ka asnjë moment gjatë ditës ku nuk jemi stresuar për këtë”, ka thënë Duraku.

Familja mendon se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka bërë sa duhet për të ndërhyrë.

“Ai është britanik, dhe kështu menduam se qeveria jonë do të mbronte të drejtat e tij dhe të kujdesej për të. Por, nuk është bërë dhe ne jemi pafundësisht të zhgënjyer”, ka thënë Zana Duraku.

FCDO tha se BBC po ofron ndihmë për Durakun dhe se është në kontakt me familjen e tij. Po ashtu tha se zyrtarët e saj e kishin vizituar Durakun në paraburgim.