Begaj: Doja t’i bëja bashkë partitë në Kosovë, nuk ia arrita

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka deklaruar se ai kishte ndërmend t’i takonte të gjithë krerët politikë në Kosovë së bashku, por këtë gjë, ekipi i tij, nuk e ka arritur.

Gjatë një interviste të dhënë për televizionin RTK, Begaj shpjegoi edhe situatën e krijuar me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se ftesa për partitë ka qenë nga ana e tij dhe jo nga ana e forcave politike në Kosovë.

Në premisë, ai shpjegoi se ekipi i tij ka ftuar të gjithë krerët politikë në Kosovë, në një tryezë të përbashkët, për të biseduar mbi sfidat e dy vendeve.

Mirëpo, thirrjes së bërë, nuk u janë përgjigjur pozitivisht të gjithë.

Ndaj, për këtë arsye, ai ka vendosur t’i takojë më vete ata. Por, këtë gjë, jo duke shkuar në selitë politike të partive.

 

“Vizita ime këtu është me ftesë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani”, theksoi Begaj. “Pavarësisht kësaj, partitë politike në Kosovë unë i ftova në një takim. Jo të gjithë pranuan”.

Kështu, kreu i shtetit e ka shpjeguar rastin dhe ka bërë thirrje për një politikë më përbashkuese, kur çështja vjen tek e mira e kombit.

Pikërisht tek ky mesazh madhor, u ndal Begaj.

“Shqipëria do t’i gjendet Kosovës në krah, pavarësisht çdo rrethane e vështirësie”, theksoi ai, duke përfshirë këtu edhe ndihmë direkte ushtarake nëse e nevojshme, referuar edhe situatave të fundit të tensioneve, të cilat janë krijuar në veri të Kosovës.

Megjithatë, presidenti e ka ravijëzuar faktin se rruga e duhur, është vetëm ajo e bisedimeve, marrëveshjeve dhe njohjes reciproke.

“Luftën e fituam”, vijoi Begaj, “por tani duhet të ruajmë paqen”.

Ndër të tjera, ai ka treguar se edhe Serbia e di se nuk është e thjeshtë të hysh në luftë apo konflikt, ndaj e cilësoi përpjekjen për paqe jo si ekskluzive të Kosovës, por të të dy palëve.

Mbi nismën rajonale Open Balkan, Begaj theksoi se ajo nismë është e duhur, për sa kohë është një iniciativë për të rritur bashkëpunimin rajonal.

Mirëpo, mes qëndrimeve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka ndryshime të mëdha për nismën. Por sërish, gjuha e përbashkët, duhet gjetur në këtë aspekt, edhe pse nga ana tjetër, pjesë e iniciativës është edhe Serbia.