Kreu i diplomacisë europiane, Joseph Borell dënoi sot ndërhyrjen e Turqisë në konfliktin në Libi, gjatë një takimi në Bruksel me ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.
“Është një gjë që ne e kundërshtojmë dhe që rrit shqetësimin tonë për situatën në këtë vend”, u shpreh Borrell.
Borrell dhe katër homologët e tij të vendeve anëtare të BE-së u mblodhën në një takim urgjent për të diskutuar situatën në Libi, ku marshalli Khalifa Haftar po vazhdon sulmin e tij me shenjestër Tripolin.
Europianët kanë frikë se ndërhyrja ushtarake e Ankarasë në mbështetje të Qeverisë së Unitetit Kombëtar (GNA), e njohur nga OKB, mund ta përkeqësojë situatën.
“BE është plotësisht e bindur se nuk ka zgjidhje ushtarake për krizën në Libi”, thuhet në deklaratën e përbashkët, e cila kërkon ndërprerje të menjëhershme të veprimeve ushtarake.