Kryetari dhe të njejtën kohë kandidat për të parin e Skenderajt, Bekim Jashari ka bërë të ditur se nuk kanë pasur asnjë takim me ndonjë parti politike për të kërkuar mbështetje apo tërheqje të kandidaturave të tyre.
Ai deklaron se, për asnjë çmim apo rezultat nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë që të kandidoj si i nominuar nga ndonjë parti politike.
“Me sovranin kam të vetmin koalicion dhe të vetmit i shërbej deri në frymën e fundit!”, ka shrkuar Jashari në Facebook.
Postimi në Facebook:
Të dashur qytetarë,
Siç e dini, orientimi im politik që nga kandidimi për kryetar të komunës së Skenderajt në vitin 2017, ka qenë dhe mbetet i pavarur.
Vendimin për të kandiduar edhe për një mandat në udhëheqje të Skenderajt e kam marr bazuar në kërkesat e qytetarëve, bashkëqeverisjen e mirë që kemi ndërtuar, përkrahjen masive dhe vizionin për të krijuar zhvillim ekonomik e mirëqenie për të gjithë.
Kështu bashkëpunimin dhe përkrahjen vazhdoj ta kërkoj vetëm nga qytetarët, nga sovrani që vendos për fatin e komunës sonë për 4 vitet e ardhshme.
Tani kur po bëhen publike kandidaturat e partive politike për kryetar të Skenderajt, deklaroj me sinqeritetin më të madh që as unë dhe as bashkëpunëtorët e mi nuk kemi pasur asnjë takim, asnjë të vetëm, me ndonjë parti politike për të kërkuar mbështetje apo tërheqje të kandidaturave të tyre.
Për këtë ju garantoj sepse, për asnjë çmim apo rezultat nuk kam pranuar dhe nuk pranoj që të kandidoj si i nominuar nga ndonjë parti politike, me gjithë respektin për secilën prej tyre.
Të dashur qytetarë, ju falënderoj të gjithëve për përkrahjen e fuqishme që keni ndaj meje dhe rrugës sonë të përbashkët për zhvillimin e komunës tonë.
Me 17 tetor do të dëshmojmë që Skenderaj është i bashkuar dhe vizionar për të ardhmen tonë, në jetësim të idealit të dëshmorëve e heronjve për zhvillim ekonomik e mirëqenie për të gjithë.
Me sovranin kam të vetmin koalicion dhe të vetmit i shërbej deri në frymën e fundit!