Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk është tërhequr nga protesta e datës 6 dhjetor, pavarësisht se Policia e Shtetit ka bërë të qartë se është i pamundur zhvillimi i saj, sipas kërkesës nga pala demorkate.
Mbrëmjen e 25 nëntorit, përmes një komunikate për shtyp, Policia e Tiranës njoftoi se në bazë të hapave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sigurt të Samitit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, nuk mund të kishte një tubim përballë Kryeministrisë.
Kjo, si pjesë e vendosjes së një perimetri sigurie dhe bllokimi të akseve rrugore në atë zonë.
Mirëpo, për Berishën, kjo deklaratë është tërësisht antikushtetuese dhe protesta, do të zhvillohet.
Madje, ajo do të jetë në përmasa që nuk janë parë ndonjëherë më parë.
“Refuzimi tregon fytyrën e vërtetë të regjimit që është i tmerruar nga populli shqiptar. Në këtë protestë në datën 6 në orën 12:00, do të vërshojnë të gjithë ata të cilët ëndrrën evropiane e kanë më të çmuarën për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Do të jetë një protestë që nuk është parë ndonjëherë”, bëri me dije Berisha përmes një komunikimi në Facebook.
Vendimi i Policisë
Policia e Tiranës nuk e ka pranuar kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për të zhvilluar një tubim demonstrativ më 6 dhjetor 2022, ditë e cila përkon me zhvillimin e Samitit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në Tiranë, për të parën herë në histori.
Sipas një shkrese që Policia e kryeqytetit i ka dërguar Partisë Demokratike, bëhet me dije se ka një perimetër sigurie tepër rigoroz me rastin e zhvillimit të Samitit.
Ndaj, për këtë arsye, protesta, e parashikuar të zhvillohet përpara Kryeministrisë, nuk mund të miratohet.
Ndërsa, në një perimetër të jashtëm, përtej atij të caktuar për sigurinë e Samitit, strukturat policore janë të gatshme të ndihmojnë në mbarëvajtjen e çdo organizimi të ngjashëm me tubimin e kërkuar.
Në bazë të komunikatës, perimetri është i vendosur në disa akse kryeqytetase.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshirë sheshin “Nënë Tereza”.
Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”.
Rruga ” Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj.
Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, rruga “Skerdilajd Llagar.
Rruga “Papa Gjon Pali II” në gjithë gjatësinë e saj, rruga Asim Zeneli, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga Fatmir Haxhiu”.
Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rrugova”.
Nuk bëhet me dije se si do të operohet me kalimin ose ndalimin e qytetarëve në këto pjesë të kryeqytetit, por qarkullimi i automjeteve do të jetë i bllokuar në këtë shtrirje, siç lihet të nënkuptohet nga forcat blu.