Politikani socialist amerikan, Bernie Sanders, falënderoi ironikisht Donald Trump për humbjen e Partisë Konservatore në zgjedhjet kanadeze, duke thënë se presidenti amerikan ishte shkaku i humbjes së tyre.
“Faleminderit President Trump. Dy muaj më parë, miqtë tuaj në Partinë Konservatore ishin 25 pikë përpara dhe më pas u mundën. Brenda 100 ditësh, ju u keni treguar kanadezëve pse e djathta ekstreme nuk duhet të jetë në pushtet. Amerikanët do të bëjnë të njëjtën gjë në zgjedhjet e ardhshme”, shkroi Sanders.
Kujtojmë se Kanadaja zgjodhi Mark Carney si kryeministrin e saj të ri të hënën, më 21 prill, duke i dhënë Partisë Liberale një mandat tjetër në pushtet.
Sipas parashikimeve nga CBC News dhe CTV News, votuesit e mbështetën qartë mesazhin e tij të rezistencës ndaj politikave ekonomike dhe tarifave të administratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Carney arriti të siguronte një mandat të katërt radhazi për Liberalët — një sukses politik që rrallë shihet në historinë moderne kanadeze — ndërkohë që pengoi gjithashtu avancimin e Konservatorëve të opozitës të udhëhequr nga Pierre Poilievre.
Slogani i fushatës së tij, “Kanadaja e paprekshme nga Trump”, ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve të publikut pas deklaratës provokuese të Trump në lidhje me aneksimin e mundshëm të Kanadasë si shteti i 51-të i SHBA-së. Patriotizmi dhe siguria ekonomike u bënë temat kryesore që formësuan atmosferën politike.