Ndryshe nga sa është pritur, pikërisht për shkak të situatës në veri dhe vendimit të Listës Serbe për t’u larguar në institucione, nëntë anëtarë të Listës Serbe kanë pranuar të zëvendësojnë ata të dorëhequrit dhe tashmë janë emëruar deputetë të rinj.
Një tjetër deputet serb gjithashtu ka zënë vend, por jo nga Lista Serbe, meqë siç është e parashikuar me ligj, radha i kishte ardhur atij, pas largimit të 10 të tjerëve, më të votuarit nga komuniteti serb.
Besohej se 9 të propozuarit nga Komisioni Qendror Zgjedhor, sipas radhës, nuk do t’i pranon postet si deputetë, por nuk kanë refuzuar të regjistrohen dhe në seancën e sotme, kryeparlamentari Glauk Konjufca, i ka prezantuar me radhë.
Deputetë e rinj janë Ksenija Bozoviç, Rados Mihajloviq, Nenad Radenkoviç, Svetislav Jokiç, Biljana Maksiç nga Lista Serbe.
Më pas Cvetko Veljkoviç nga GI SPO.
Dhe gjithashtu të tjerët janë nga Lista Serbe, si Milan Kostiç, Zoran Maksimoviç, Olivera Zdravkoviç dhe Milan Joksimoviç.
Pranimi për t’u kthyer në Kuvend nga Lista Serbe përbën befasi, meqë në ditën kur kishin njoftuar largimi nga institucionet, ishte thënë se nuk do të ketë kthim derisa të marrin garanci se do të fillojë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe të ndalet masa e qortimit apo gjobitjes për targat ilegale të prodhuara në Serbi.
Akoma nuk është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës nëse ka pasur një marrëveshje për t’u rikthyer në institucione, dhe as Besnik Bislimi, zëvendës-kryeministër, nuk pranoi të flas se çfarë ka ndodhur në takimin e fundit në Bruksel.