Biden i shkruan letër Vuçiqit, i kërkon njohjen e Kosovës

Presidenti amerikan Joseph Biden, i ka dërguar letër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.

Biden në këtë letër, i ka kërkuar Vuçiqit njohjen e Kosovës, si finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Biden ka thënë se aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila bazohet në njohjen reciproke.

“Më vjen mirë që morët pjesë në Samitin për Demokraci në dhjetor. Ju inkurajoj ju dhe qeverinë tuaj që të vazhdoni të punoni shumë për të zbatuar reformat e brendshme të nevojshme për t’i bërë arritjet e demokracisë të disponueshme për të gjithë njerëzit në Serbi. Të njëjtat reforma do të ndihmojnë në garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm, sundimit të ligjit dhe një klime tërheqëse investimi dhe do t’ju afrojnë më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim. Familja evropiane nuk do të jetë e plotë pa Serbinë dhe të gjithë fqinjët e saj”, thekson Biden në letrën e tij.