Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka parashikuar se presidenti Donald Trump “do të provojë të vjedhë” zgjedhjet presidenciale në nëntor duke limituar qasjen e amerikanëve për votim.
“Ky president do të përpiqet të vjedhë zgjedhjet”, ka thënë kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale për “The Daily Show With Trevor Noah”.
“Ky është ai personi që kishte thënë se të gjitha votat me postë janë mashtrim derisa qëndronte i ulur në Zyrën Ovale dhe bënte gati votën me postë për të marrë mbështetjen për garën presidenciale”, ka shtuar Biden.
Trumpi vazhdimisht i ka quajtur mashtrim votat me postë derisa në SHBA zyrtarët elektoralë kanë nisur të mendojnë për shtimin e metodave për votim për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Presidenti amerikan ka thënë se kalimi drejt votimit me postë do të dërgonte në rezultate jo të favorshme për Partinë Republikane, edhe pse e ka pranuar se vetë kishte votuar me postë në muajin mars.
Ekspertët vlerësojnë se ka më pak mashtrime me votat me postë sesa votat në qendrat e votimit, por në përgjithësi kanë thënë se ka tejet pak raste të mashtrimeve.
Akuzat e Trumpit kanë ngritur shqetësimet te Demokratët se ai mund të refuzojë të lëshojë Shtëpinë e Bardhë nëse Bideni fiton në zgjedhjet e nëntorit.