Policia e Kosovës ka arrestuar sot Granit Paçarizin, biznismenin nga Prizreni, i cili dyshohet se ka kanosur zyrtarët e Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Prizrenit. Paçarizi dyshohet se ka ushtruar presion dhe ka kanosur personat zyrtarë lidhur me një tender për instalimin e ndriçimit publik në Komunën e Prizrenit.
Por, kush është Granit Paqarizi?
Nuk është hera e parë që biznesmeni prizrenas, Granit Paçarizi, ka telashe me Policinë. Kjo sepse vite më parë, në 2013, ai ishte përfshirë në një përleshje masive, ku si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, kishte edhe persona të plagosur, raporton Gazeta Sinjali.
Paçarizi ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor. Por, prokurori e kishte rihapur rastin, duke e akuzuar kështu Paçarizin për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.
Për kryerjen e kësaj vepre penale, ai ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim dhe ishte dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.
E më 1 janar të vitit 2020, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një dekreti kishte falur tre persona të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Njëri nga të dënuarit që u fal nga Thaçi ishte edhe biznesmeni, Granit Paçarizi. Nga 2 vite e gjysmë sa ishte dënuar, atij i ishin falur 1 vit.
Dekreti i Presidentit Thaçi mban datën e 27 nëntorit të vitit 2019.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.