Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka autorizuar vendet baltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë që të dërgojnë në Ukrainë raketa anti-tank dhe anti-ajrore të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, një lëvizje që vjen në mes të tensioneve në rritje të Ukrainës me Rusinë.
“Përshpejtova dhe autorizova dhe ne mbështesim plotësisht transferimet e pajisjeve mbrojtëse që aleatët e NATO-s, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë po i ofrojnë Ukrainës për të forcuar aftësinë e saj për t’u vetëmbrojtur përballë agresionit të papërgjegjshëm të Rusisë,” tha zoti Blinken në një postim në Twitter.
Ky vendim i sekretarit Blinken erdhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, nuk arritën ndonjë përparim pwr Ukrainën në takimin e nivelit të lartë në Gjenevë, përveç premtimit se do të vazhdojnë bisedimet.
Zoti Blinken dhe ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov u takuan për rreth një orë e gjysmë në Gjenevë, por asnjëri prej tyre nuk ndryshoi qëndrim lidhur me çështjet thelbësore.
Perëndimi po kërkon që Rusia të tërheqë trupat dhe armët e saj nga kufiri me Ukrainën, ndërsa Moska po bën presion që NATO të kufizojë operacionet e saj në Evropën Lindore dhe Qendrore dhe këmbëngul që aleanca ushtarake perëndimore të refuzojë përpjekjen e Ukrainës për anëtarësim.