Gjatë ditës së sotme, serbët në Mitrovicë të Veriut e prezantuan një deklaratë të ashtuquajtur “Deklarata e Vidovdanit” e që përmbante edhe tone kërcënuese ndaj Republikës së Kosovës. Atë deklaratë po e cilëson “terroriste” aktivisti serb Bogdan Bogdanoviqi.
Deklarata në fjalë u lexua nga zyrtarë të Listës Serbe dhe ku pretendohej se komuniteti serb në vendin tonë ishte “i ekspozuar ndaj dhunës”.
Për të dhënë shembull për një gjë të tillë, ata përmendin mes tjerash edhe arrestimin e disa qytetarëve serbë të akuzuar për vepra të ndryshme penale nga ana e Kosovës, siç është psh sulmet ndaj KFOR-it dhe ndaj gazetarëve.
Ata përmes kësaj Deklarate madje edhe kërcënojnë se nëse “Prishtina” do të vazhdonte me aktivitetet dhe arrestimet e saj, atëherë “serbët në Kosovë do të detyrohen t’u përgjigjen të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes.”
Aktivisti Boban Bogdanoviq ka reaguar ashpër ndaj kësaj deklarate.
“Deklarata e Vidovdanit” është një akt terrorist dhe një kërcënim i hapur dhe thirrje për të rrëzuar rendin kushtetues të Kosovës! Menjëherë shpalleni Listën Serbe organizatë terroriste dhe arrestojini liderët dhe terroristët, pengje të të cilëve janë qytetarët e komunitetit serb.” – u shpreh ai përmes një postimi të bërë në Twitter.